LAJMI I FUNDIT:

Jashari: Institucionet të respektojnë të Drejtat dhe Liritë e Njeriut

Jashari: Institucionet të respektojnë të Drejtat dhe Liritë e Njeriut

Zyra e Avokatit të Popullit së bashku me Organizatat Joqeveritare të Kosovës shënuan Ditën Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut.

Në këtë organizim u mbajt edhe marsh nga këto organizata për të bërë thirrje që të mbrohen të drejtat e çdo njeriu në Kosovë.


Igballe Rugova, nga Rrjeti i Grupit të Grave të Kosovës tha se sot jemi të mbledhur për të ngritur zërin për të drejtat e njeriut, që sipas saj tash e 70 vite nuk ka të drejta të barabarta për çdo njeri në botë.

” Për herë të parë po mblidhemi të gjitha organizatat në ombrellën e avokatit të popullit, që bashkarisht të ngrehim zërin për të drejtat e njeriut e që 70 vite edhe në botë nuk ka të drejta të barabarta. Nuk i kemi të drejtat dhe liritë e njeriut të implemenuara ashtu si thotë deklarata, por ne nuk do të ndalemi dhe kjo është  e veçanta se ne kemi dal bashkarisht të ngrehim zërin për të drejtat e të gjithë grupeve në Kosovë, për të drejtat e grave, e komuniteteteve për të drejtat e LGBT-së dhe të gjitha të drejtat e njeriut në Kosovë”, tha Rugova, raporton Ekonomia Online.

Hilmi Jashari, Avokat i Popullit tha se kjo ditë është e veçantë në Kosovë sepse po marrin pjesë të gjitha organizatat dhe që deklaratën për të drejtat e Njeriut sipas tij e kanë nënshkruar 40 organizata.

“ Është një ditë e veçantë, është dita 10 dhjetori, si një ditë universale për të drejtat e njeriut. Është e veçantë kjo ditë në Kosovë sepse të gjitha organizatat joqeveritare po marrin pjesë, ku deklaratën e kanë nënshkru 40 organizata deri më tani dhe që janë pajtu që të ju adresohemi institucioneve publike.

Misioni i kësaj deklarate është unifikimi rreth qëllimeve dhe të drejtave të lirive të njeriut dhe thirrja e institucioneve publike që me i respektu këto standarde në kushtetutën e vendit dhe në dokumentet kryesore”, tha Jashari.

Ndërsa, Drita Demolli, përfaqësusese në organizatën për të Drejtat e Njeriut, tha se këto organizata mbrojnë të drejtat dhe liritë e njeriut dhe ajo tha se ky marsh shënon ditën ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut.

“Jemi organizata që mbrojmë të drejtat dhe liritë e njeriut. Marshi është marsh që shënon ditën e të drejtave dhe lirive të njeriut me mesazhin “Zgjohu për të drejtat e njeriut”, dhe po e përmbyllim sot në ditën 10 dhjetori. Kemi bërë një bashkëpunim me organizatat e shoqërisë civile së bashku me Avokatin e Popullit ose në iniciativën e Avokatit të Popullit”, tha Demolli.