Dushan Janjiq: Edhe BIA e Vuçiq janë të përfshirë në vjedhjen e zgjedhjeve presidenciale amerikane të vitit 2020

Analisti politik serb, Dushan Janjiq, deklaroi sot se për manipulimin e zgjedhjeve presidenciale në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në vitin 2020 e mban përgjegjës Agjencinë e Sigurisë dhe Informacionit (BIA) dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Ai i tha agjencisë Beta se pas fjalimit të presidentit amerikan, Donald Trump, dje në Davos, është bërë e qartë se hetimi për manipulimin e zgjedhjeve po zhvillohet dhe përfshin edhe Beogradin, raporton nova.rs.
“Më parë ka pasur disa paralajmërime për nisjen e hetimeve mbi vjedhjen e zgjedhjeve presidenciale amerikane përmes rrjeteve sociale, si dhe për përdorimin e një adrese IP nga Serbia në një fushatë kundër Trumpit. Kjo deri më tani nuk ishte konfirmuar, por pas fjalimit të presidentit Trump dje në Davos, tani është e qartë se hetimi po zhvillohet dhe përfshin edhe Beogradin”, tha ai.
Sipas tij, në SHBA ka një aspekt që “politikanët këtu-shkolluar pjesërisht dhe ekspertët e BIA-së e kanë injoruar”.
“Në SHBA ekziston Agjencia Kombëtare e Sigurisë, e cila mbikëqyr sigurinë kibernetike, veçanërisht në situata që ndikojnë në interesat dhe demokracinë amerikane. Nëse del të jetë e vërtetë – dhe nuk kemi arsye të dyshojmë që Trump po trillonte – duhet të pritet ndjekja penale e të gjithë atyre që kanë marrë pjesë në manipulimin e zgjedhjeve amerikane. Nuk përjashtoj mundësinë që kjo të jetë bërë nga BIA përmes ndonjë agjencie private, por të lidhur ngushtë me pushtetin dhe konceptin e luftës kundër revolucionit të ngjyrosur”, tha Janjiq.

Ai shtoi se disa nga personat e përfshirë tashmë po largohen nga maja e BIA-së, por kjo nuk do t’i shpëtojë nga përgjegjësia.
“Ngrihet pyetja se deri ku do të shkojë hetimi dhe nëse do të përfshijë edhe Aleksandar Vuçiqin, i cili kontrollon gjithçka në Serbi. Kjo do të ishte një situatë shumë e vështirë për të, sepse do të tregonte se një shtet ka udhëhequr një veprim kriminal kibernetik kundër një shteti tjetër – në këtë rast, kundër SHBA-së për zgjedhjet presidenciale. Se kush do të ndiqet penalisht, do të vendosë prokurori amerikan”, përfundoi analisti.
Janjiq komentoi idenë se pas manipulimit të zgjedhjeve presidenciale në SHBA qëndron kompania serbe “Roaming Networks” është si “hedhje uji në mullirin e Vuçiqit”.
Ai tha se në këtë hetim duhet të përfshihet Departamenti për luftën kundër krimit të teknologjisë së lartë i Ministrisë së Brendshme të Serbisë.
“Derisa të provohet se BIA nuk ka një ekip për luftën kundër revolucionit të ngjyrosur – dhe Aleksandar Vulin ka thënë se ekziston – për pjesëmarrjen operative në manipulimin e zgjedhjeve amerikane përgjegjës është BIA, ndërsa për përgjegjësinë politike dhe kriminale, Aleksandar Vuçiq”, theksoi analisti.
Presidenti amerikan, Donald Trump, dje në Forumit Ekonomik Botëror në Davos njoftoi se së shpejti do të nisë ndjekje penale për zgjedhjet e vjedhura të vitit 2020.
“Shumë shpejt njerëzit do të ndiqen penalisht për atë që kanë bërë. Ishin zgjedhje të manipuluara”, pohoi lideri amerikan.
Në fillim të dhjetorit të vitit të kaluar, Trump e lidhi kompaninë serbe “Dominion Voting Systems” me falsifikimin e zgjedhjeve presidenciale në SHBA në 2020. Ai ndau gjithashtu në rrjetet sociale një postim ku thuhej se Elon Musk kishte parandaluar manipulimin e zgjedhjeve të vitit 2024 duke çaktivizuar kompjuterët e kësaj kompanie në Serbi.
Trump humbi zgjedhjet e vitit 2020 ndaj Joe Biden, por gjatë natës së zgjedhjeve pretendonte se demokratët kishin vjedhur votat duke përdorur makina elektronike dhe pajisje optike për numërimin e votave të “Dominion Voting Systems” në 28 shtete amerikane.
Kompania ka selinë në Kanada, me degë për zhvillimin e softuerit në SHBA, Kanada dhe Serbi, dhe është prezente në tregun serb që nga viti 2011.
Ueb-faqja amerikane, “Stolen Elections Facts” ka publikuar se “Dominion” ka hapur një qendër të dhënash në Beograd përmes kompanisë serbe “Roaming Networks”, e njohur edhe si “Dot Networks”, e cila operon edhe në SHBA. /Telegrafi/




















































