“Janë djegur rreth 20 hektarë”, zjarri në 4 fshatra në juglindje të Tiranës

Zjarri që ka përfshirë zonën mes Daiasit, Lundrës, Farkës dhe Priskës së Madhe ka djegur rreth 20 hektarë sipërfaqe, kryesisht pyjore.
Pëllumb Gjobi, inspektor i Agjencisë së Parqeve dhe Rekreacionit, thotë se flakët nisën në Priskë dhe u përhapën të favorizuara nga era.
Për gazetaren e Top Channel, Rudina Muça, Gjobi shprehet situata ka qenë e vështirë për shkak të terrenit dhe kushteve atmosferike, ndërsa në terren kanë qenë të angazhuara forcat zjarrfikëse dhe strukturat e tjera.
“Pjesa këtu quhet Gurrë e Madhe, është mes Daiasit, Lundrës, Farkës dhe Priskës së Madhe. Zjarri ka nisur nga Priska dhe ka përshkuar një sipërfaqe të madhe shkurresh, i favorizuar edhe nga era. Është djegur një sipërfaqe prej afro 20 hektarësh, zjarrfikësit dhe të gjitha forcat e tjera kanë qenë në terren, por ka qenë një situatë e jashtëzakonshme".
"Ne jemi përditë në terren, frikë nuk kemi, por kujdes po. Shumica e tokës së djegur është pyjore. Është djegur pak ullishte dhe vreshtari. Janë djegur vetëm dy banesa të pabanuara në zonën e Lundrës, në fshatrat e tjerë nuk ka pasur dëme. Zjarri ka nisur para 5-6 ditësh në Priskë, po bëjmë të pamundurën, por terreni i vështirë, era dhe faktorët e tjerë nuk na e bëjnë të lehtë”, shprehet ai.
Gjobi thekson se pjesa më e madhe e sipërfaqes së prekur nga zjarri është pyjore, ndërsa dëmet në zonat e banuara kanë qenë të kufizuara në dy banesa të pabanuara në Lundër.
Sipas tij, forcat në terren vijojnë përpjekjet për të mbajtur situatën nën kontroll, ndërsa terreni i vështirë dhe era mbeten ndër faktorët kryesorë që favorizojnë përhapjen e flakëve.









































