Jakupi i kundërpërgjigjet LVV-së në Shtime: Asnjë institucion nuk ka konstatuar se kam shkelur ligjin


Kryesuesi i Kuvendit Komunal të Shtimes, Rrahman Jakupi, ka reaguar ndaj akuzave të Degës së Lëvizjes Vetëvendosje në Shtime, e cila një ditë më parë pretendoi se ai kishte shkelur ligjin 11 herë brenda pesë muajve.
Përmes një postimi në Facebook, Jakupi i ka hedhur poshtë këto akuza, duke deklaruar se asnjë institucion i Republikës së Kosovës nuk ka konstatuar se ai ka kryer shkelje ligjore.
"Sot, Lëvizja Vetëvendosje në Shtime po më akuzon se kinse kam 'shkelur ligjin 11 herë'. Qytetarët e Shtimes duhet ta dinë të vërtetën. Asnjë institucion i Republikës së Kosovës nuk ka konstatuar se Rrahman Jakupi ka shkelur ligjin", ka shkruar ai.
Jakupi ka kujtuar edhe një proces gjyqësor me Degën e LVV-së në Shtime, duke thënë se gjykata kishte refuzuar një padi të ngritur ndaj tij.
"Përkundrazi, po këta njerëz që sot më shpallin fajtor në Facebook, më paditën në Gjykatë për shpifje dhe fyerje, duke kërkuar 10,000 euro dëmshpërblim dhe Gjykata Themelore në Ferizaj e refuzoi në tërësi padinë e Lëvizjes Vetëvendosje në Shtime ndaj meje si të pabazuar dhe i detyroi ata të paguajnë edhe shpenzimet e procedurës", ka deklaruar Jakupi.
Sipas tij, vlerësimet për ligjshmërinë duhet të bazohen në vendime institucionale dhe jo në deklarata politike.
"Në demokraci nuk vendosin statuset në Facebook. Vendosin faktet, dokumentet dhe institucionet", ka thënë ai.
Jakupi ka kritikuar gjithashtu Lëvizjen Vetëvendosje, duke pretenduar se kjo parti nuk mund të mbajë leksione për ligjshmërinë.
"Për ligjshmëri nuk mund të na mbajnë leksione ata që kanë shkelur Kushtetutën në nivel qendror, kanë prodhuar qindra shkelje ligjore në nivel lokal dhe kanë humbur shumë beteja juridike kur janë përballur me faktet", është shprehur ai.
Në fund të reagimit, kryesuesi i Kuvendit Komunal të Shtimes ka theksuar se institucioni që drejton nuk është në shërbim të interesave politike.
"Beretat e kuqe mund të përdoren për fotografi, propagandë dhe spektakël politik, por nuk e zëvendësojnë ligjin. Koha e mashtrimeve dhe presioneve politike ka marrë fund. Shumë prej atyre që sot akuzojnë të tjerët, shumë shpejt do të duhet të japin llogari dhe shumë shpejt do të përballen me ligjin dhe me përgjegjësinë për veprimet e tyre. Sepse Kuvendi i Shtimes nuk është makineri votimi e kryetarit. Kuvendi i takon qytetarëve të Shtimes", ka përfunduar Jakupi. /Telegrafi/





































