Anthony Joshua i ka dhënë Jake Paulit një paralajmërim të fortë përpara përballjes së tyre të shumëpërfolur, duke deklaruar se synon ta thyejë atë jo vetëm fizikisht, por edhe mendërisht e shpirtërisht.

Ndeshja Paul – Joshua është eventi kryesor i kartës së madhe të Netflix të së premtes, që do të zhvillohet në Kaseya Center në Miami.


Për Jake Paulin, kjo do të jetë paraqitja e parë që nga fitorja ndaj Julio Cesar Chavez Jr., ndërsa për Joshuan ndeshja e parë pas humbjes së rëndë me nokaut ndaj Daniel Dubois vitin e kaluar.

Para duelin, dy boksierët u përballën ballë për ballë në një intervistë ekskluzive, ku britaniku u shfaq jashtëzakonisht i drejtpërdrejtë në deklaratat e tij.

“Plani im është ta mposht mendërisht. Jake është një person shumë mendor. Përgatitja e tij nuk bazohet vetëm në aspektin fizik, por edhe në mënyrën si mendon, si mediton, si punon me frymëmarrjen”.

“Nëse mund t’ia thyej shpirtin dhe mentalitetin, atëherë e kam thyer Jaken. Kjo është arsyeja pse kjo ndeshje do të jetë interesante. Nuk është vetëm fizike. Duhet ta marr shpirtin tënd në ring”.

Deklarata e Joshuas shkaktoi reagim të menjëhershëm nga Jake Paul, i cili u përgjigj shkurt: “I vetmi person që mund ta bëjë këtë është Zoti”

Joshua buzëqeshi dhe shtoi: “E dija që do ta thoshte këtë”.

I pyetur nga moderatori nëse deklaratat e Joshuas po i hynin “nën lëkurë”, Paul u përgjigj: “Jo. Por po pyes veten: si planifikon ta bëjë këtë?”.

Joshua vazhdoi me një shpjegim të detajuar dhe mjaft kërcënues: “Kam parë në shumë ndeshje momentin kur energjia e dikujt fillon të largohet. E sheh në sy, në lëvizje, në frekuencë. Kur e vëren atë shkëlqim që fillon të zbehet, vazhdon ta shfrytëzosh. Disa dorëzohen, disa rrëzohen. Do ta zbulojmë”.

“Dua ta shkatërroj shpirtërisht dhe mendërisht”, deklaroi britaniku.

Pas publikimit të videos, reagimet në rrjetet sociale ishin të ashpra. Shumë tifozë besojnë se Jake Paul dukej i “frikësuar” dhe se ka bërë një gabim të madh duke pranuar këtë përballje. /Telegrafi/

- YouTube www.youtube.com

telegrafi sport app