Jahjaga dhe Martinelli biseduan për çështjet e interesit të përbashkët të të dyja vendeve, për zgjerimin e bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Panamasë, por proceset nëpër të cilat po kalon Kosova dhe për konsolidimin ndërkombëtar të saj.

Presidentja Jahjaga e vlerësoi bashkëpunimin ndërmjet dy vendeve, që prej njohjes së pavarësisë Kosovës nga Panamaja, si një ndër shtetet e para të Amerikës Qendrore.


Jahjaga tha se Kosova mëton të bëhet anëtare me të drejta të plota e BE-së dhe e OKB-së dhe theksoi rëndësinë që procesi i njohjeve të vazhdojë, duke konsoliduar shtetësinë dhe në të cilin proces mund të ndihmojë edhe Panamaja në veçanti në pjesën e Amerikës Qendrore dhe Jugore.

Presidentja Jahjaga tha se Kosova dhe Panamaja duhet të zgjerojnë bashkëpunimin ndërmjet tyre në të gjitha fushat, në veçanti në atë ekonomike dhe të investimeve dhe të ndërtojnë marrëdhënie të fuqishme ndërmjet tyre.

Presidentja i bëri ftesë zyrtare Presidentit Martinelli që ta vizitojë Kosovën gjatë këtij viti, të cilën ftesë ai e mirëpriti.

Presidenti i Republikës së Panamasë, Ricardo Martinelli, theksoi gatishmërinë e vendit të tij për ta ndihmuar Kosovën në proceset nëpër të cilat po kalon ajo.

Ai tha se të dyja vendet duhet të ndërtojnë lidhje të fuqishme ndërmjet vete dhe shprehu vullnetin e vendit të tij për të bashkëpunuar në fushën ekonomike, politike, kulturore dhe në fushat e tjera të interesit të përbashkët.

Presidenti Martinelli tha se Panamaja do të ndihmojë Kosovën edhe në procesin e konsolidimit ndërkombëtar të saj dhe njohjet e mëtutjeshme në veçanti në Amerikën Qendrore dhe atë Jugore. /Telegrafi/