LAJMI I FUNDIT:

Jack Ma mbështet orarin e punës 12 orë në ditë me 6 ditë në javë

Jack Ma mbështet orarin e punës 12 orë në ditë me 6 ditë në javë
Jack Ma, themelues i Alibaba | Foto: Lintao Zhang/Getty Images/Guliver

Themeluesi i gjigantit kinez të tregtisë në internet Alibaba, Jack Ma, ka mbrojtur të ashtuquajturën “sistemi 996”, duke thënë se, “dita e punës me 12 orë është bekim”.

Në llogarinë e tij në WeChat, miliarderi Ma ka shkruar se, ekonomia kineze do të kishte humbur me shumë gjasa vitalitetin dhe nxitjen nëse nuk do të kishte orar të punës nga ora 9 deri në orën 21, për një javë me 6 ditë pune.

Ma shtoi më tej se nuk i pëlqen personat që janë të interesuar vetëm te tetë orët e përditshme. Deklarata e tij vjen pas debatit të hapur kohët e fundit nga një artikull i fundit që mbështeste idenë që “sistemi 996” do të dilte kundër ligjit në Kinë.

“Nëse nuk punoni kur jeni të rinj, kur duhet ta bëni këtë?. Më lini t’iu pyes, nëse nuk shpenzoni më shumë energji se të tjerët, si mund ta arrini suksesin që dëshironi?”, kështu iu është drejtuar Ma gjeneratave të reja të punëtorëve, përcjell Telegrafi.

Pavarësisht se shumë vende po adoptojnë strategji më të kujdesshme ndaj balancës jetë profesionale – jetë personale, deklarata e Ma është mbështetur nga një tjetër ndërmarrës i botës së teknologjisë, Richard Liu, që udhëheq JD.com.

Sipas Liu, vitet e rritjes ekonomike të Kinës kanë rritur numrin e “dembelëve”.

“Në 4-5 vitet e fundit, JD nuk ka pushuar asnjë person nga puna, pra numri i punëtorëve është rritur në mënyrë të shpejtë, po ashtu edhe numri i personave që bëjnë blerje në internet, ndërsa numri i atyre që punojnë në mënyrë efektive është reduktuar”, ka thënë Liu. /Telegrafi/