Vlera tregtare e mallrave bujqësore midis Bashkimit Evropian dhe pjesës tjetër të botës ishte 275 miliardë euro në vitin 2018, që është e barabartë me 7 për qind të tregtisë ndërkombëtare të mallrave në vendet evropiane.

Mes viteve 2002 dhe 2018, tregtia e matur në vlerë është rritur me një mesatare vjetore prej 5 për qind, përkatësisht 5.8 për qind për eksportet dhe 4.3 për qind për importet.

Sipas Eurostat, përcjell Telegrafi, në aspektin e vëllimit tregtar, në vitin 2018, vendet e BE-së importuan 151 milionë ton produkte bujqësore, ndërsa eksportuan 99 milionë ton, ku mes viteve 2002 dhe 2018, vëllimi total i tregtisë kishte një normë mesatare vjetore rritjeje prej 2.1 për qind. Edhe këtu, eksportet u rritën më shpejt se sa importet.

Produktet bujqësore mund të ndahen në tre grupe kryesore: produktet e kafshëve, produktet e perimeve dhe produktet ushqimore.

Për sa i përket eksporteve, grupi më i madh është ushqimi prej 57 për qind, prodhimet bimore janë 22 për qind dhe produktet shtazore me 21 për qind. Në importet, grupi më i madh me 48 për qind janë prodhimet bimore, pasuar nga ushqimet me 32 për qind dhe produktet e kafshëve me 20 për qind. /Telegrafi/