Izraeli të hënë publikoi atë që dukej se ishte provë e municionit të Hezbollahut të fshehur nëpër shtëpi – pavarësisht se pretendime të tilla ka pasur më herët nga Izraeli, që kritikohej se po shënjestron shtëpitë nëpër tërë Libanin – ku si pasojë humbën jetën qindra persona dhe mijëra u plagosën.

Në mesin e armëve që Izraeli tha se janë gjetur nëpër shtëpi në Liban, janë raketa me sasi të madhe eksplozivi me të cilat sulmohet Izraeli.


2 5

Forcat Mbrojtëse të Izraelit publikuan fotografitë, që shfaqnin raketa me rreze të gjatë veprimi si dhe lansuesit e tyre që ishin fshehur nëpër shtëpitë private në Liban, transmeton Telegrafi.

“Jemi duke shkatërruar atë që Hezbollahu e ndërtoi për 20 vite”, tha ministri izraelit i Mbrojtjes, Yoav Gallant gjatë një vizite që i bëri qendrës komanduese të IDF-së.

Izraeli tashmë ka kryer sulme të shumta mbi 1,600 caqe të Hezbollahut në Liban, kurse zëdhënësi i IDF-së, Daniel Hagari njoftoi se shumica prej sulmeve kishin për qëllim shkatërrimin e armëve të fshehura nëpër shtëpi.

Në mesin e armëve kishte raketa që arrijnë një rreze prej qindra kilometra dhe kokë me afro 1 mijë kilogram eksploziv – që konsiderohen si raketa me rreze të mesme. /Telegrafi/