LAJMI I FUNDIT:

Ivanovi amniston krimin e politikanëve, por jo edhe viktimat e “Sopotit”, “Monstrës”…!

Ivanovi amniston krimin e politikanëve, por jo edhe viktimat e “Sopotit”, “Monstrës”…!

Reagimi parë që na kujtohet tani pas amnistimit nga ana e presidentit të Maqedonisë, Gjorgje Ivanov, të politikanëve nën hetim dhe atyre në vuajtje dënimi, medoemos duhet të ketë lidhje disa procese të montuara kundër shqiptarëve: “Sopoti”, “Monstra”, “Kumanova” etj. Qasja selektive e Ivanovit për të amnistuar vetëm politikanë të inkriminuar, kryesisht maqedonas, por jo edhe viktima të një pushteti të çoroditur siç janë të dënuarit e pafajshëm nga Sopoti, si dhe të rinjtë shqiptarë që padrejtësisht morën dënim kapital për një krim që s’e kishin kryer te Liqeni i Smilkovcës (ku mbetën të vrarë pesë maqedonas). Ka paralajmërime që edhe disa persona të involvuar në konfliktin që ndodhi vitin e kaluar në Kumanovë (9 dhe 10 maj) mund të dënohen me burgim të përjetshëm nga gjykatat e Maqedonisë.

Presidenti Ivanov jo vetëm që po merr vendime të gabuara politikisht e moralisht, por ai po e fut vendin në një rrugë kaotike, duke konfrontuar qytetarët mbi baza etnike dhe me këtë vendim ai po dëshmohet se nuk është kryetar i gjithë qytetarëve.


Me prova materiale të shpifura dhe me një skemë të konstruktuar tmerrësisht amatore, një Gjykatë e Shkupit e pat shpallur veten të paaftë të ndaj drejtësi. Por, nuk ka dilemë se gjithçka që kjo gjykatë e ka lënë mangut, do ta kompensojë Gjykata e Strasburgut. Kjo e fundit tash më është specializuar të bëhet korrektore e zellshme e joprofesionalizmit të një tufe gjyqtarësh maqedonas, të cilët në vend se të vendosin drejtësi, po sjellin anarki me pasoja serioze për qëndrueshmërinë dhe kohezionin brenda-etnik e brenda-shoqëror në Maqedoni.

Të akuzuarit për rastin ‘Monstra’ nuk patën mundësi të dëshmojnë pafajësinë e tyre për arsye se përballë kishin një gardë përbindëshash që brenda veladonit të gjykatësit fshihnin tendencën e tyre për të cenuar lirinë njerëzore pa të voglin dyshim se ata që rrezikojnë lirinë e tjetrit bëhen vet peng të arsyes së mjegulluar.

Teatri i quajtur proces gjyqësor përjashtoi nga shqyrtimi të gjitha ato fakte që e dëshmonin pafajësinë e të akuzuarve dhe kjo të përkujton inkuizicionin i cili nuk i dënonte njerëzit pse kishin bërë faj, por pse duhej të përmbushnin paragjykimet e inkuizitorëve.

Skema paragjykuese në rastin “Monstra” u ngrit mbi një alibi komike për gjoja lidhshmërinë e këtij krimi me ideologjinë radikale islame. Po të kishte ndodhur kjo ngjarje këto ditë, sigurisht që gjyqtarët dhe prokurorët paragjykues të Shkupit do të sajonin lidhshmërinë me ISIL-in (Shteti Islamik i Irakut dhe Levanti), duke i ngarkuar të akuzuarit me shpifjen se “ishin të përfshirë në aktivitetet globale për shtrirjen e Kalifatit edhe në trojet ballkanike”.

Po ta rikonstruonim, fjala bie, edhe një herë rastin “Monstra”, ajo që na bie ta themi është që kjo ngjarje mund të jetë një skenar i mirë për ndonjë film triler. Të kapur pas shkëmbinjve të Afganistanit, këta, mendermethënë gjyqtarë e prokurorë, u munduan të na sjellin pak atmosferë filmike me do protagonistë të shpifur të cilët gjoja ishin stërvitur në kampet xhihadiste për të demonstruar ideologjinë e terrorit edhe në Maqedoni.

Cili diplomat dhe ushtarak në Uashington e Bruksel nuk do të tmerrohej pas shikimit të këtij filmi? Cila organizatë botërore e të drejtave të njeriut do të merrte kurajën të mbronte një grusht “xhihadistësh” në Shkup, të cilët pa pikën e mëshirës paskan vra disa të rinj maqedonas?

Ata që ndërtuan skemën e këtij teatri politiko-gjyqësor, para se të nguteshin të lidhin krimin me islamin radikal, sajuan në kokat e tyre efektin planetar që mund të ketë kjo ngjarje në kancelaritë e Brukselit, Uashingtonit, Berlinit, Parisit, Vatikanit etj. Sepse, një krim që s’e kishte kryer grupi i të rinjve shqiptarë, të rritur me vuajtje e skamje në lagjet e varfra të Shkupit, duhej të kishte domosdoshmërisht kauzën ndërkombëtare të ndëshkimit. Ndryshe, një krim i tillë, krejtësisht i shkëputur nga prezenca fizike e të akuzuarve në momentin kritik, do të bëhej “delete” ende pa u tharë ngjyra e lajmit.

Disa nga të akuzuarit e shihnin njëri-tjetrin për herë të parë në sallat e gjyqit dhe ata njiheshin në mes veti shumë më pak se sa disa deputetë, mjekë e gjyqtarë, të cilët, sipas dëshmisë së Goran Neqeskit (njëri nga prindërit e djemve të vrarë të liqeni i Smilkovës) ishin të involvuar në këtë proces.

Pretendimet e prokurorisë nuk u vërtetua me kurrfarë dëshmie se të akuzuarit përnjëmend kishin qenë prezentë në momentin dhe vendin kur është kryer krimi. Të gjithë të akuzuarit kishin përshkruar në detaje rrethanat se ku kishin qenë ata në atë moment dhe tek asnjëri prej tyre nuk u gjetën prova që vërtetonin lidhshmërinë e prezencës së tyre fizike me vrasjen makabre që u krye.

Këta që vendosën të privojnë lirinë e disa të rinjve shqiptarë, sigurisht janë të vonuar me informacione nga fusha e teknologjive dhe komunikimeve moderne, sepse prej tyre e kuptuam se të posedosh një faqe Facebook-u, disa CD me këngë dhe ilahi, dhe të kesh në bibliotekë ndonjë Kur’an, po mjaftoka që dikush të shpallet terrorist. Sasia e pakontrolluar e injorancës së tyre mund të jetë atraksion i vërtetë që do ta shfrytëzonte ndonjë regjisor për të ndërtuar fabulën e tij filmike të huazuar nga shkrimtari i famshëm amerikan me prejardhje hebreje, John Grisham, i cili si lajtmotiv gjithëpërfshirës ka stigmatizuar pamundësinë e profesionit të gjykatësve për të vërtetuar fajësinë e të akuzuarve.

Rasti “Monstra”, por edhe “Sopoti” e “Kumanova” herët a vonë duhet të rikonstruohen edhe si procese gjyqësore, edhe si ngjarje. Është momenti që këto lëndë t’i kalojnë Prokurorisë Speciale, sepse vetëm ajo ka kredibilitet ta procesojë drejt këtë ngjarje. Jo vetëm për të vërtetuar pafajësinë e disa të rinjve shqiptarë që morën dënim kapital (burgim të përjetshëm), por për të zbuluar edhe prapavijën e një profesioni, i cili, me nivelin e ulët etik e profesional, pafundësisht po përhap pikëllim familjar dhe mllef të papërmbajtur shoqëror. Prokuroria Speciale ka dhënë prova se nuk i mungon kuraja profesionale dhe qytetare të ballafaqohet me sfida të shumta, por tani e ka edhe një rast më ilustrativ për të demaskuar pafytyrësinë politike të gjykatave të instrumentalizuara në Maqedoni, por edhe të demaskojë prapavijën qëllimkeqe të një presidenti të mjerë që nuk po mundet kurrsesi të del nga kostumi i ngushtë që ia kanë qepë shefat e partisë.