(e plotësuar ) - Një tjetër e mbijetuar e dhunës seksuale po rrëfen sonte në ciklin e emisioneve “Heshtja që vret – Klithma e vërtetët e luftës” në Debat Plus, për tmerrin që përjetoi gjatë luftës në Kosovë.

Thotë se babai i jetonte në perëndim, derisa, rrëfen se si gëzoheshin kur flisnin apo vinte në Kosovë.


“Po përpara s’ka pasë telefona, jo, veç me letra, shkrujke, po, na i shkrujke me emër krejtve, të gjithëve, gëzohem ai, gëzohem ky, gëzohem ai, kur e marrshim atë letër krejt u rrokshim dojshim me hangër. Ai baba jem, ai baba jem, kështu qysh, si gjithë fëmijë, kënaqësi më e madhe nuk ka pasë para luftës, pas luftës ma jo”, thotë ajo.

Ajo rrëfen se si kishin harmoni dhe lumturi në familjen e tyre, por që gjithçka e prishi lufta.

“Po, tani lufta shkoi gjithçka, gjithçka ekstrem keq, ma luftë ma, ku ka luftë të paqë, po kjo e jona ka qenë e fëlliqët”.

E mbijetuara e dhunës seksuale po e shpalos rrëfimin tronditës për dhunimin që iu bë asaj gjatë kohës së luftës.

“Momenti i dhunimit katastrof ka qenë, vetëm një dhomë. Vetëm kanë qenë, vjehrrin e morën, vjehrrën e kishin çu tjetër kah. Po, dijke mirë njëri ka qenë i shëndoshë, veç tmerr, i zi, ai i zi që po lyhen a s’po di çka, s’mujshe me këqyrë ata se s’u vrejke t’u këqyrë se me shamia kanë qenë. Tre erdhën, në dhomë aty tre”, rrëfen ajo në ciklin e emisioneve “Heshtja që vret – Klithma e vërtetë e luftës” në Debat Plus.

Ajo tregon se si paramilitarët ia kishin shqyer rrobat me thikë, teksa kujton edhe atë çfarë i kishte thënë vjehrra pas dhunimit.

“Po, as që të kanë vet bile, ai me thikë, tmerr bre tmerr s’po muj as me, tmerr ka qenë bre, ajo ditë me t’u kujtu veç me thanë çelu dhe të hy brenda, nuk ki tjetër, s’di qysh përjetuam, s’di qysh erdhëm deri në këtë kohë, s’di qysh vazhdoj jeta, por po vazhdojka. Edhe mos të thotë kush jo prej së keqi, jo kështu, jo ashtu, çka kemi përjetu na, se një moshë kur nuk je bash e re i di tana këto sene, se me qenë ma i ri shkon, po mosha e pjekun, çuni i vogël, burri në burg, s’ish reni me folë me kërkënd, me ba bisedë me kërkënd, refugjatë s’kishim, vjehrrin e kishin marrë. Çka muj me ditë kur kanë dalë kanë ecë s**** u kryen ato dhunimet, ato punë, ato krejt, jam çu, mëzi kam gjetë diçka me vesh edhe vjehrrën e kam pa, tha ‘ah mbetëm pa burra edhe mbetëm pa fytyrë’ ”, rrëfen ajo.

E mbijetuara e dhunës seksuale thotë se më asnjëherë nuk e kishin diskutuar me vjehrrën për atë çka kishte ndodhur.

Në rrëfimin e saj, e mbijetuara e dhunës seksuale, thotë se pasi i ishte liruar burri nga burgu, kishin lindur fëmijë sërish, pa i treguar për atë që i kishte ndodhur.

Por, ajo thotë se më vonë vendosi t’ia tregojë të vërtetën atij, pa e ditur se ai nuk do ta pranonte një rrëfim të tillë.

“Po, i tregova edhe… U shpjegum, tha me pas ditë nuk kisha lindë unë ma fëmijë edhe u dalë ai, nuk jena bashkë. Jo, jo fill s’i tregova, hajt thojsha ec me kohën… Pas përfundimit, vajza tri vjet i bëri, fëmija i vogël tri vjet edhe hajt kështu muhabet mas muhabeti tu folë. Edhe aty për aty ma, ai tha, për mu ma nuk je, e mori jetën në sy qysh ja ke nis vazhdo, u dalë, ma kurrë kontakt me të nuk kam”, rrëfen ajo.

Megjithatë, ajo tregon se përmes një shoqeje të saj ra në kontakt me “Medica Gjakovën”, përfaqësueseve të së cilës ua ka rrëfyer historinë e trishtë që i ka ndodhur asaj, sikurse edhe mijëra grave e burrave të tjerë në Kosovë.

“Po, tash pa u çel zemra kurrë, u çel për herë të parë aty, më ka ardhë vështirë boll. Edhe sot më erdhi boll vështirë, po nuk duhet me hupë, duhet me qenë nana të forta, po s’po mundemi me u ba, se nuk jam e vetmja unë po ka shumë nana, ka shumë, s’po di çka me thanë tjetër”, thotë ajo.

Ajo u ka dërguar mesazh të gjitha grave dhe burrave që të rrëfejnë për atë që kanë përjetuar.