LAJMI I FUNDIT:

ISHIM DIKUR TË LUMTUR

ISHIM DIKUR TË LUMTUR

Poezi nga: Torquato Tasso (pjesë nga libri “Rima”)
Përktheu: Sinan Vaka
* * *
Ishim dikur te lumtur …
Unë dashnor dhe i dashuruar
ti dashnorja në të ëmblën gjendje.
Pastaj e dashnorit armik u shndërrove;
dëshirën përbuza me sa më vjen në mendje.
Shpërfillës … pra desha që t’u thoshja
që zemërimi ujk në shpirtin tim
mban gjallë turpin e times shpërkujdesje …
dhe degët e dafinës tënde të shkulur,
të thata, por ende profumojnë në heshtje.
* * *
Një bletë do të doja të isha!
E bukur dhe mizore,
që me bëzatje te lëshonte mjaltin;
dhe duke mos mundur zemrën
të paktën pickuar të bardhin gji …
Plaga … ( oh, jo nuk ëmbëlsohet )
hakmarrja atje rri.
* * *
Amaril! nëse unë të kundroj
shoh diellin e syve të mi.
E këndshme, e bukur siç je ti
për tjetër natyrisht nuk mendoj.
Kur qesh, ah! buzëqeshja
që çelet petaleve të tua,
rikujton pranverën, pra dehja
nga fytyra jote vjen tek mua.
Fletë petalore dhe unë të dëgjoj
e freskia që çelet prillit rrjedh,
ti e këndshme turbullimin
ma bën të ëmbël, ma vjedh.