LAJMI I FUNDIT:

Isa Qosja me film të ri, me temë nga vendlindja e tij

Isa Qosja me film të ri, me temë nga vendlindja e tij

Një nga regjisorët më të njohur të Kosovës, Isa Qosja, po përgatit filmin e tij të ardhshëm, “The Stroke”.

Filmi do të xhirohet në vendlindjen e Qosjes, në Gusi, në verilindje të Malit të Zi. Në rolin kryesor luan Arta Dobroshi, e njohur për performancën e saj në filmin “Lorna’s Silence” me regji të vëllezërve Jean-Pierre dhe Luc Dardenne. Pjesa tjetër e ekipit përfshin Arben Bajraktarajn dhe Mirush Kabashin. Qosja do të bashkëpunojë përsëri me Gökhan Tiryakin, i cili është veçanërisht i njohur për punën e tij në “Winter Sleep”.


“Inspirimi im nuk është vetëm vendi ku kam lindur, por janë njerëzit, ndodhitë dhe shkretëtira që kanë ata brenda shpirtit. Janë familjet e ndara në dysh: të vjetrit që jetojnë aty dhe të rinjtë që kanë emigruar në Amerikë. Kështu, ngadalë dhe heshtazi shuhen familjet, qytezat, fshatrat. Jam i bindur që kjo temë do komunikojë emocionalisht me shumë njerëz që e njohin dhe e dinë shijen e hidhur të emigracionit”, ka thënë Qosja.

Filmi është prodhuar nga 4MM Productions dhe është mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës.