Ndërmarrja Publike Lokale “Kastrioti” në Obiliq ka njoftuar se ekipet e saj kanë qenë të angazhuara në terren edhe gjatë ditëve me kushte të rënda atmosferike dhe gjatë fundjavës, duke realizuar disa intervenime në funksion të sigurisë dhe shërbimeve publike.

Sipas njoftimit, gjatë ditës së djeshme janë hapur pusetat dhe janë vendosur pengesa në rrugët e përmbytura nga uji, me qëllim të rritjes së sigurisë për qytetarët dhe pjesëmarrësit në trafik.


Po ashtu, gjatë ditës së sotme, me kërkesë të Komunës së Obiliqit, punëtorët e NPL “Kastrioti” kanë kryer pastrimin e trotuareve dhe shesheve nga bora, për të lehtësuar qarkullimin e këmbësorëve.

Në kuadër të angazhimeve, ndërmarrja ka bërë të ditur se është realizuar edhe përgatitja e lëndëve djegëse në shkollat e komunës, në mënyrë që procesi mësimor të nisë në kushte të përshtatshme ngrohjeje.

Nga NPL “Kastrioti” theksojnë se ekipet do të vazhdojnë të jenë në gatishmëri për përmbushjen e obligimeve, sipas nevojave dhe kërkesave të institucioneve komunale. /Telegrafi/