Kryeministri Edi Rama do të presë sot në Tiranë Presidenten e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen.

Fillimisht Von Der Leyen do të ndalet në presidencë. Sipas njoftimit nga presidenca, takimi me kreun e shtetit do te zhvillohet nga ora 09.10- 09.45.


Ndërkohë nga kryeministria është mësuar se ceremonia e mirëseardhjes do të mbahet në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, e cila do të pasohet me një takim në kryeministri, ku pritet të diskutohet mbi rrugën e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.

Pas përfundimit të takimeve, është njoftuar se do të zhvillohet një konferencë e përbashkët për shtyp, ku kryeministri Edi Rama dhe Presidentja Ursula von der Leyen do të flasin mbi zhvillimet e takimit.

Pas takimit në kryeministri, palët do t’i drejtohen pallatit të kongreseve ku zhvillohet Forumi i parë i Investimeve “Bashkimi Europian-Ballkani Perëndimor”, që do të zhvillohet më 13–14 tetor 2025.

Kjo ngjarje historike vjen si një iniciativë e mbështetur nga Komisioni Europian, dhe ka për qëllim të forcojë bashkëpunimin ekonomik dhe të nxisë mundësi të reja investimi midis vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Evropian.

Sipas agjendës zyrtare, në ceremoninë e hapjes fjalën e mirëseardhjes do ta mbajë Kryeministri Edi Rama. Për të vijuar me fjalimin nga Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.

Forumi sjell së bashku përfaqësues të lartë qeveritarë nga Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia, si dhe vendimmarrës, institucione financiare ndërkombëtare, investitorë strategjikë dhe kompani lidere nga BE-ja dhe më gjerë.

Ky event përfaqëson një hap konkret drejt integrimit ekonomik rajonal dhe afrimit të Ballkanit Perëndimor me tregun e përbashkët evropian, duke adresuar një sërë temash kyçe si: zhvillimi i infrastrukturës, tranzicioni i gjelbër dhe digjital, fuqizimi i sektorit privat, dhe integrimi i zinxhirëve të vlerës rajonale në tregjet globale. /Telegrafi/