Instituti GAP ka prezantuar të dhënat mbi premtimet e dhëna nga kryetarët e komunave të Kosovës për mandatin e ri qeverisës 2025–2029. Sipas raportit, gjatë këtij mandati janë dhënë gjithsej 1,683 premtime në 26 komuna, shifër kjo 132 premtime më pak se mandati i kaluar.

Raporti evidenton komunat me rritjen më të madhe të numrit të premtimeve, ku spikasin Lipjani me 170 premtime (nga 61 në mandatin e kaluar), Deçani 124 (nga 20), Fushë Kosova 110 (nga 35), Drenasi 88 (nga 37), Obiliqi 104 (nga 69) dhe Podujeva 88 (nga 61).


Ndërkohë, komunat që shënuan rënie më të madhe të premtimeve janë Prishtina 115 (nga 206), Kaçaniku 38 (nga 94), Suhareka 24 (nga 78), Shtimja 58 (nga 107), Mitrovica e Jugut 74 (nga 123), Rahoveci 44 (nga 84), Hani i Elezit 39 (nga 78), Malisheva 20 (nga 48), Klina 35 (nga 63) dhe Istogu 55 (nga 78).

Sipas raportit, fushat me më së shumti premtime janë infrastruktura me 382 premtime, arsimi 322, shërbimet publike 184 dhe shëndetësia 146. Fushat me më së paku premtime janë urbanizmi me 51 dhe administrata 50.

Instituti GAP vë në dukje gjithashtu përfaqësimin gjinor, ku nga 185 kandidatë që kanë garuar, 20 kanë qenë gra, ndërsa vetëm një kryetare është zgjedhur. Partitë që udhëheqin komunat janë VV (7), PDK (7), LDK (7), LS (10), AAK (5), Nisma (1) dhe PDTK (1).

“Edhe në këtë mandat, Instituti GAP do të vazhdojë të vlerësojë periodikisht përmbushjen e premtimeve, me qëllim të rritjes së përgjegjësisë publike të kryetarëve të zgjedhur për ato që kanë premtuar”, thuhet në njoftim.

Platformën e plotë të premtimeve të kryetarëve mund ta gjeni në: https://www.komunat.institutigap.org/Premtimet. /Telegrafi/