LAJMI I FUNDIT:

Imazhi i emigrantit shqiptar, në një mural të Nju-Jorkut

Imazhi i emigrantit shqiptar, në një mural të Nju-Jorkut

Fytyra e një mërgimtari shqiptar të fiksuar në një nga fotografitë historike nga Ishulli “i Emigrantëve” (Ellis Island) në Nju-Jork, është bërë pjesë e një nga muraleve më të mëdhenj të qytetit.

Murali në fjalë paraqet pesë portrete emigrantësh dhe ka si autor artistin e famshëm të grafiteve, brazilianin Eduardo Kobra. Kjo është pjesë e një serie prej 18 pikturimesh shumëngjyrëshe masive që artisti Kobra ka bërë vitin e kaluar anembanë në qytet.

Mes tyre, ai që bie më shumë në sy është pikërisht projekti që përfshin edhe portretet e pesë emigrantëve dhe titullohet: “Murali më i madh në Nju-Jork”. Mesazhi i tij është theksimi i natyrës së këtij vendi, i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, si atdhe i emigrantëve. Për kureshtarët që duan ta vizitojnë, ai shpaloset në muret e një prej shkollave të mesme më të famshme njujorkeze, “Qyteti si Shkollë” (City-As-School) (Adresa e saktë: 16 Clarkson Street ndërmjet Hudson Street and Seventh Avenue South).


Projekti përfshin edhe punë të artistëve të tjerë, si dhe të nxënësve të shkollës. /Illyria/