Imazh i rremë me ujkun e arratisur - arrestohet një burrë në Korenë e Jugut

Policia e Koresë së Jugut ka arrestuar një burrë për shpërndarjen e një imazhi të gjeneruar nga inteligjenca artificiale, i cili mashtroi autoritetet gjatë kërkimit të një ujku të arratisur nga një kopsht zoologjik në qytetin Daejeon.
Burri 40-vjeçar akuzohet se ka penguar operacionin e kërkimit duke krijuar dhe shpërndarë një foto të rreme që tregonte ujkun Neukgu duke ecur në një kryqëzim rrugor. Imazhi u publikua disa orë pasi ujku u zhduk më 8 prill dhe çoi në zhvendosjen urgjente të operacionit të kërkimit.
Fotoja bëri që autoritetet dhe qeveria e qytetit të dërgonin edhe mesazh emergjent banorëve, duke i paralajmëruar për praninë e ujkut, ndërsa imazhi u prezantua edhe në një konferencë për shtyp, shkruan bbc.
Policia e identifikoi të dyshuarin përmes kamerave të sigurisë dhe të dhënave të përdorimit të programit të AI-së. Ai u tha autoriteteve se e kishte bërë “për argëtim”.
Autoritetet po e hetojnë për pengim të punës së qeverisë përmes mashtrimit, vepër që mund të dënohet deri në pesë vjet burg ose gjobë deri në 10 milionë won (rreth 5800 euro).
Ujku Neukgu u kap pas nëntë ditësh kërkime dhe kthimi i tij në kopshtin zoologjik shkaktoi interes të madh publik në Korenë e Jugut, duke e kthyer atë në një fenomen mediatik. /Telegrafi/



















































