LAJMI I FUNDIT:

​IKD: Ligji për Ndërmjetësim nuk po zbatohet, sistemi i drejtësisë cenon të drejtat e palëve

​IKD: Ligji për Ndërmjetësim nuk po zbatohet, sistemi i drejtësisë cenon të drejtat e palëve

Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), me përkrahje të Departamentit të Shtetit Amerikan – Byrosë së Narkotikëve Ndërkombëtar dhe Çështjeve të Zbatimit të Ligjit (INL) dhe NED-it, të premten, ka mbajtur një tryezë virtuale në të cilën është prezantuar raporti “Sfidat e ndërmjetësimit në Kosovë”.

Hulumtuesja e IKD-së, Gzime Hashani, deklaroi se përkundër që Kosova ka ndërtuar infrastrukturë të avancuar ligjore sa i përket kësaj fushe, sistemi gjyqësor dhe prokurorial ende nuk e shfrytëzojnë sa duhet këtë mënyrë të zgjidhjes së lëndëve. Ajo tha se duke vepruar në këtë mënyrë, sistemi i drejtësisë përpos që cenon të drejtat e palëve, gjykatësit dhe prokurorët ngarkojnë veten me lëndë të cilat potencialisht mund të zgjidhen në procedurë të ndërmjetësimit.

“Hashani deklaroi se IKD ka gjetur se në vitin 2017 dhe 2018 nga ana e gjykatës shumë pak raste janë referuar në ndërmjetësim, derisa ka një ngritje të theksuar në vitin 2019 dhe një regres në vitin 2020.


Tutje, sipas Hashanit, gjatë vitit 2017 të gjitha prokuroritë e Kosovës kanë referuar në ndërmjetësim gjithsej 682 raste, derisa në vitin 2018 ky numër është ngritur në 904. Ajo tha se ky numër ishte rritur dukshëm në vitin 2019, kur prokuroritë kishin referuar në ndërmjetësim gjithsej 2,034 lëndë, ndërkaq gjatë vitit 2020, kur edhe puna e Prokurorit të Shtetit është influencuar nga gjendja e krijuar me pandeminë COVID-19, Prokurori i Shtetit ka referuar në ndërmjetësim gjithsej 1,608 lëndë”, thuhet në njoftimin për media.

Hashani deklaroi se konform kërkesave të Ligji Nr.06/L-009 për Ndërmjetësim, është themeluar edhe Oda e Ndërmjetësuesve me miratimin e statutin më 2 nëntor 2019 nga Kuvendi i Përgjithshëm i Odës së Ndërmjetësuesve.

Mirëpo sipas saj, kjo Odë kishte funksionuar në mënyrë të kundërligjshme, për faktin se krahas miratimit të statutit nga ana e Kuvendit të Përgjithshëm, Ligji kërkon edhe aprovimin nga ana e Ministrisë së Drejtësisë. E njëjta tha se statuti i miratuar nga Kuvendi i Përgjithshëm i Odës së Ndërmjetësuesve në këtë rast, nuk është aprovuar nga Ministria e Drejtësisë deri më 21 shtator 2020.

“Duke vepruar në këtë mënyrë, sipas Hashanit, IKD ka gjetur se Oda e Ndërmjetësuesve e cila vepron në pajtim me ligjin dhe statutin e saj, në këtë rast ka vepruar pa bazë ligjore, pasi statuti i saj nuk ka qenë i aprovuar nga ana e Ministrisë së Drejtësisë, rrjedhimisht nuk ka qenë në fuqi.

Sipas Hashanit, IKD ka gjetur se ka mungesë të të dhënave lidhur me aspektin profesional të ndërmjetësve të licencuar dhe nevojë për ngritjen e vetëdijes qytetare për zbatimin e procedurës së ndërmjetësimit.

Hulumtuesja e IKD-së, Hajrije Krasniqi, deklaroi se në kuptim të përmbushjes së obligimeve që rrjedhin nga Ligji i ri për Ndërmjetësimin, KPK dhe KGJK kanë miratuar rregulloret për referimin e lëndëve në ndërmjetësim.

Krasniqi tha se përkundër faktit se për ndërmjetësimin e detyrueshëm ekziston një dispozitë e qartë, e cila obligon gjyqtarët që këto raste t’i procedojnë në procedurë të ndërmjetësimit, IKD gjen se kjo fushë e ndërmjetësimit në Kosovë nuk ka gjetur zbatimin e kërkuar”, thuhet më tej në njoftim.

Sipas saj, ndërmjetësimi i detyrueshëm nuk ka arritur të gjejë zbatim në praktikë ashtu siç kërkohet me ligj, pasi numri i rasteve të referuara në ndërmjetësim të detyrueshëm është shumë i ulët.

Tutje, Krasniqi tha se përkundër obligueshmërisë së gjyqtarëve që secilin rast ta referojnë në ndërmjetësim, IKD gjatë monitorimin sistematik të sistemit gjyqësor ka gjetur se kjo dispozitë nuk zbatohet në secilin rast. Ajo tha se gjatë monitorimit, IKD ka gjetur raste konkrete, të përshtatshme për ndërmjetësim, në të cilat gjyqtarët nuk kanë informuar palët se rasti i tyre mund të referohet në ndërmjetësim. Përkatësisht, siç tha e njëjta, gjyqtarët nuk u kanë mundësuar palëve që të shprehin vullnetin e tyre që rastin e përshtatshëm për ndërmjetësim ta zgjidhin përmes kësaj procedure.

Duke vepruar në këtë mënyrë, sipas Krasniqit, gjyqtarët fillimisht e kanë ngarkuar veten e tyre me lëndë, të cilat me vullnetin e palëve kanë mundur t’i referojnë në procedurë të ndërmjetësimit. Ajo tha se për të ekzistuar një vullnet i tillë, para së gjithash kërkohet informim nga ana e gjyqtarëve, përkatësisht respektim të nenit të Rregullores.

Tutje, hulumtuesi i lartë nga IKD, Yll Zekaj, deklaroi se janë bërë gati tre vite prej hyrjes në fuqi të ligjit, i cili konsiderohet ligj shumë modern dhe ligj i cili i plotëson të gjitha konditat për të pasur një ndërmjetësim të zhvilluar në sistemin juridik.

Ai tha se kemi pasur shumë investime nga donatorët ndërkombëtar, që të kemi një sistem të ndërmjetësimit të zhvilluar, por që as pas tri viteve ligji nuk po gjen zbatimin e vet.

Gjatë kësaj tryeze, sipas njoftimit për media, Zekaj shpalosi rekomandimet e dhëna nga IKD për organet e përfshira në këtë proces.

Sipas tij, KGJK, KPK, kryetarët e gjykatave dhe kryeprokurorët duhet të marrin veprime konkrete në drejtim të ngritjes së zbatimit të ndërmjetësimit në Kosovë, për më tepër, duhet të masin vazhdimisht trendin e referimit të rasteve në procedurë të ndërmjetësimit dhe raportet e kësaj natyre ti publikojnë në faqet zyrtare.

“Gjyqtarët dhe prokurorët të referojnë në ndërmjetësim secilin rast të përshtatshëm për ndërmjetësim dhe ti referojnë në ndërmjetësim të detyrueshëm të gjitha rastet që kërkohet me ligj” tha ai.

Zekaj tha se IKD ka rekomanduar që kryetarët e gjykatave, në bashkëpunim me gjyqtarët, t’i përpilojnë listat me të gjitha rastet ku kërkohet ndërmjetësim i detyrueshëm dhe të njëjtat të procedohen në ndërmjetësim.

Po ashtu, Zekaj tha se avokatët duhet të kërkojnë nga gjykatat referimin në ndërmjetësim të detyrueshëm, në rastet kur kjo kërkohet me ligj.

Përfaqësuesja nga Oda e Ndërmjetësuesve, Adelina Sopi, tha se raporti i hartuar nga IKD reflekton plotësisht gjendjen aktuale të procesit të ndërmjetësimit dhe sfidave aktuale të cilat po e përcjellin këtë proces tash e sa vite.

“Si Odë e Ndërmjetësuesve të Kosovës jemi themeluar sipas ligjit, por kemi shumë vonesa në funksionalizim për shkak të ndryshimit me qeveri, por edhe situatës me pandemi e cila ka ndiku shume në krijimin e një strukture, e cila do funksiononte dhe do ndihmonte në procesin e ndërmjetësimit”, deklaroi Sopi.

“Ajo u shpreh se Oda e Ndërmjetësve ka shënuar sukses në krijimin e zyrave të Odës, duke krijuar kështu kushtet për mbajtjen e ndërmjetësimeve me vete referim, por që sipas saj ka mungesë të infrastrukturës.

Sopi tha se kjo procedurë po sfidohet edhe nga parregullsitë teknike, ku siç u shpreh ajo, personat përgjegjës për organizimin e seancave të ndërmjetësimit nuk janë mjaft të përgatitur.

Në anën tjetër, gjykatësi i gjykatësi i Gjykatës Themelore në Prishtinë, Dren Rogova, deklaroi se raporti i publikuar nga IKD është mjaft kritik, sidomos ndaj gjyqësorit.

Ai tha se me ndërmjetësimin e detyrueshëm është hedh një barrë e madhe mbi gjyqësorin, që nuk do të duhej ta kishte, mirëpo siç tha ai, ligjdhënësi e ka paraparë që tu vihet barrë fatura e madhe e administrimit të një pune të madhe që është referimi i lëndëve në ndërmjetësim”, thuhet në njoftim.

Gjykatësi Rogova tha se numri i rasteve që një gjyqtar është i obliguar që t’i referoj në procedurë të ndërmjetësimit është i madh, e sipas tij, nëse mesatarisht një gjyqtar ka 800 lëndë, kjo i bie se mesatarisht 400 lëndë duhet t’i referoj në ndërmjetësim, duke shtuar se një gjë e tillë është vështirë e arritshme për shkak të resurseve dhe stafit në Gjykatën e Prishtinës.

Tutje, Rogova u shpreh se gjyqtarët nuk ngurrojnë t’i referojnë rastet në ndërmjetësim, por nuk është e mundur administrimi i një procedure të tillë në mungesë të resurseve.

“Gjyqtarët janë në mes asaj që t’i gjykojnë rastet e tyre dhe t’i kryejnë punët e përditshme, përfshi shkrimin dhe përpilimin e aktgjykimeve dhe punë të tjera teknike që i bart një gjyqtar dhe referimit të rasteve me ndërmjetësim”, deklaroi ai.

Gjykatësi tha se për shkak të numrit të madh të lëndëve, po vije edhe deri te zvarritja e lëndëve dhe sipas tij, është jo e drejtë edhe jo etike kur pas 5-10 vitesh kur vjen një palë në shqyrtimin fillestar, t’i thuhet që tani duhet të provohet ndërmjetësimi.

Sipas njoftimit thuhet se Rogova tha se Këshilli Gjyqësor i Kosovës duhet të merr masa që t’i parasheh të gjithë mekanizmat që ky ligj të funksionoj si duhet, duke shtuar edhe se gjykatat duhet te pajisen me staf mbështetës, që lëndët të referohen në ndërmjetësim në afat të arsyeshëm dhe palët të njoftohen për zgjidhjen alternative të mosmarrëveshjeve, me afatin që e parasheh ligji.

Ndërsa gjykatësja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Fatime Dërmaku, deklaroi se gjetjet janë më së të bazuara, duke shtuar se janë shumë të buta nga ajo se çfarë ka në terren.

Gjykatësja Dërmaku deklaroi se gjatë punës së saj në Departamentin e Përgjithshëm kishte referuar çdo rast të përshtatshëm për ndërmjetësim, mirëpo tha se gjatë punës së saj ka pasur raste që ndërlidhen me Kompaninë Kosovare për Distribuim dhe Furnizim me Energji Elektrike (KEDS), të cilën nuk kanë pranuar asnjëherë që rastin ta zgjidhin përmes procedurës së ndërmjetësimit.

Gjykatësja Dërmaku lëvdoi punën e referentëve për ndërmjetësim, pasi që sipas saj, marrëveshja bëhet nga referentët e ndërmjetësuesve në gjykatë, derisa shtoi se ndërmjetësit duhet të angazhohen më shumë edhe në drejtim të promovimit të procedurës së ndërmjetësimit.

Gjatë kësaj tryeze, avokati Kujtim Kërveshi tha se ndërmjetësimi nuk duhet të shihet si një procedurë formale, pasi tha se nuk është e tillë dhe se në të gjitha vendet e botës nuk është ndërmjetësimi kaq i komplikuar.

Kërveshi tha se qëllimi fillestar i Ligjit për ndërmjetësimin, sa i përket ndërmjetësimit të detyrueshëm, nuk ka qenë vënia e barrës mbi gjyqtarët, mirëpo sipas tij ideja kishte qenë që çështja të mos arrij tek ata fare.

Tutje, ai shtoi se ndërmjetësimi ka shumë pak mundësi të zhvillohet në procedurë penale dhe se sipas tij, ndërmjetësimi nuk duhet të shihet si një procedurë për shkarkimin e prokurorëve.

Kërveshi tha se ndërmjetësimi nuk është një institut tejet i rregulluar, pasi që vet natyra e kësaj procedure nuk duhet të jetë formale.

Në fund, ai shtoi se gjatë punës së tij si avokat, gjatë hartimit të klauzolave asnjëherë nuk vendos gjykatën, por ndërmjetësimin dhe pastaj edhe arbitrazhin. /Telegrafi/

Në trend Lajme

Më shumë
Diell dhe vranësira gjatë kësaj jave - të premten destabilizim i motit

Diell dhe vranësira gjatë kësaj jave - të premten destabilizim i motit

Lajme
Zbulohen prapaskenat e dhunës në takimin e Edi Ramës me diasporën në Londër

Zbulohen prapaskenat e dhunës në takimin e Edi Ramës me diasporën në Londër

Lajme
Profili i metalit i mori jetën një punëtori të ri në Prizren, policia arreston tre menaxherët e ndërtesës

Profili i metalit i mori jetën një punëtori të ri në Prizren, policia arreston tre menaxherët e ndërtesës

Kronika e Zezë
Ngjarja e rëndë në shkollë, flet për herë të parë 14-vjeçari Luis Meçe: Më gjuajti me thikë gjashtë herë

Ngjarja e rëndë në shkollë, flet për herë të parë 14-vjeçari Luis Meçe: Më gjuajti me thikë gjashtë herë

Lajme
Ura që lidh Ulqinin me Velipojën do të ndërtohet edhe me qeverinë e re malazeze

Ura që lidh Ulqinin me Velipojën do të ndërtohet edhe me qeverinë e re malazeze

Lajme
Policia arreston tre persona te Manastiri i Deçanit, në targa u shkruante “Kosova është Serbi”

Policia arreston tre persona te Manastiri i Deçanit, në targa u shkruante “Kosova është Serbi”

Lajme
Kalo në kategori