Mate Rimac ka ndarë një përditësim të ri për Verne, markën e tij të robotaksive plotësisht elektrike, 18 muaj pas prezantimit fillestar.


Ndryshe nga kompanitë e tjera, Verne po zhvillon nga e para veturën e saj autonome, një model dyderësh pa timon dhe pa pedale.

Rimac beson se robotaksit do t’u mundësojnë njerëzve të shfrytëzojnë më mirë kohën në trafik dhe do t’u hapin rrugë atyre që nuk mund të ngasin veturë.

Ai thotë se kabina e modelit Verne ofron më shumë hapësirë dhe komoditet se sedilja e pasme e një Rolls-Royce-i.


Në videon e fundit, ai tregon dhjetëra prototipe funksionale dhe njofton se shërbimi do të nisë së pari në Zagreb me një çmim më të ulët se platformat aktuale të transportit.

Nëse projekti rezulton i suksesshëm, Verne planifikon zgjerim në tregjet evropiane dhe globale. /Telegrafi/