LAJMI I FUNDIT:

Ibrahim, hup!

Ibrahim, hup!

Gjatë protestave të këtyre ditëve të studentëve të Universitetit të Prishtinës, na ka rënë të dëgjojmë shpesh, përveç parullave të tjera të shumta, edhe parullën “Ibrahim, hup”! Nuk ka nevojë për ndonjë sqarim shtesë, pasi jam i sigurt se e dini fare mirë se për cilin Ibrahim është fjala! Pra, për rektorin e gjertanishëm, të këtij Universiteti, Ibrahim Gashi. Të Filan Fistekut që me punime të vjedhura arrin gradën më të lartë akademike – profesor i rregullt!

Duke e dëgjuar herë pas herë këtë parullë të përsëritur jo kot së koti, mundohesha që të dal në vend të tij (larg qoftë!) dhe ta kuptoj shpirtin e tij se si mund të ndihet fakiri sa herë që e dëgjon atë parullë duke e brohoritur gjithë turma me zë të lartë dhe me plot pezëm. Dhe, t’iu them të drejtën niste të më kapte një ndjenjë trishtimi! Të një njeriu, i cili, sido që të jetë, nuk mund të ndihet krejt indiferent dhe që të mos e përjetojë goxha rëndë dhe në mënyrën e vet. Thosha me vete: ky njeri është një person tragjikomik!


Analizoja dhe vija në përfundim se ky njeri nuk është më vetvetja, sepse është shitur që në momentin kur ka pranuar të kandidohet për rektor, e lëre më kur është zgjedhur! Pavarësisht nga çmimi që është shitur, shtrenjtë apo lirë (tash e ka rastin ta kuptojë më së miri këtë), ai nuk mund të vendosë për veten e vet dhe për asgjë, por të tjerët vendosin për të! Po mos është për t’u dhimbsur atëherë? Jo, aspak, se vetë ka dashtë, se ia ka kajtë. Pa e vrarë shumë mendjen se çfarë mund t’i pjellë më vonë, ai është rrëmbyer i ekzaltuar nga titulli, pra pozita që do ta fitonte si rektor! Dhe besa jo vetëm për shkak të titullit a pozitës, jo aq të palakmueshme, por edhe për të ardhurat e majme që do t’i realizonte së shpejti! E të mos flasim për “famën” e rektorit që do ta gëzonte nga mbarë farefisi, shokët e miqtë, qofshin ata njerëz të pushtetit a të miletit!

Mirëpo, ja, “kadalë beg se ka hendek!” dhe pa pritë e pa kujtue, përnjëherë dhe me dy këmbët në të! Po ku?! Në hendek pra, po ku?! Dhe qysh me dalë tash prej tij se?… E hendeku ku ai ka sharruar është tepër i thellë për të dalë prej tij! Ose thënë më drejt, kusuret e tij janë tepër të mëdha!… As që të mbytet në të, as që të dalë prej tij! Hyp se të vrava, zhdryp se të vrava! I humbur kah do që ta marrësh! Prandaj, parulla “Ibrahim, hup!”, është tragjikomike për të! Nëse nuk jep dorëheqje për shkak të “bëmave” të tij të cilat tashmë kanë marrë dhenë (“rektor, rektor/ seç na bane hor!”), ku po jetë fytyra me dalë nesër para studentëve, kolegëve dhe qytetarëve?! Me dhanë dorëheqje, ku me e gjet një strofull për t’u fshehur në të që të mos e vërejë askush?! I humbur kah ta marrësh! Po njeriu, thonë, dy gisht fytyrë i ka e jo një hektar! E ku po mbetet atëherë fytyra e këtij rektori?!

Megjithatë, njerëz jemi, duhet kuptuar sado pak pozitën e këtij rektori (mos qofshim nën lëkurën e tij!), por vetëm me një kusht: të jep dorëheqje sahat e para! Që ky Universitet të mos qelbet më shumë nga turpi i madh që i është shkaktuar dhe në krye të të cilit de jure vazhdon të figurojë edhe më tutje emri i këtij rektori, por de fakto nuk është! Çfarë rektori është ai dhe çfarë pune mund të kryejë ai dhe stafi i tij, kur ndërtesa e Universitetit rri me ditë të tëra e rrethuar nga shumë policë dhe agjentë të kamufluar dhe të barrikaduar në një anë, kurse në anën tjetër oborri i mbushur me qindra e mijëra studentë e qytetarë të tjerë të cilët kërkojnë dorëheqjen e tij për të mundësuar stabilizimin e gjendjes së krijuar që kurrë nuk ka qenë më e rëndë dhe më dramatike dhe për ta shpëtuar nga rrokullisja e mëtejmë! Veç tanket dhe ushtria i kanë mbetur mangut!

Vërtet nuk ka si të mos shkojë mendja: a thua vallë çfarë është kah zihet qe kaq ditë në këtë Qeveri dhe Ministri, që janë duke e injoruar fatalisht gjendjen e hallakatur në të katër anët, thua se nuk ka ndodhur asgjë e keqe?! A është e mundur që për shkak të ruajtje së disa “kokave” (lexo: interesave) të shërbëtorëve të kësaj qeverie të lejohet vazhdimi i një gjendjeje abnormale dhe absurde, e cila po të kishte ndodhur në një shtet tjetër normal, tashmë do të ishte harruar!

E kisha dëgjuar qysh moti që njeriu për pushtet është në gjendje ta mbysë edhe babën e vet, por kjo më dukej diçka makabre dhe nuk mund të besoja! Mirëpo, kjo çfarë po ndodh aktualisht në Universitetin e Prishtinës, po më bind plotësisht se kjo qenka e vërtetë! Po, sepse tjetër shpjegim nuk ekziston dhe vaj halli për Universitetin tonë çfarë e paska gjetur dhe në duart e kujt ka mbetur! Ibrahim, hup!