Mahmut Hoxhaj tashmë është i dyshuari i cili gjuajti në drejtim të vëllezërve Gashi në Pejë deri sa të njëjtit kishin përfunduar një seancë në të cilën u ishte ndërprerë masa e paraburgimit për një vrasje që kishte ndodhur vite më parë.

Sipas dosjes së prokurorisë që ka siguruar KALLXO.com, për caktimin e masës së sigurisë e cila është dorëzuar tashmë në gjykatë, Hoxhaj në bazë të databazës së Policisë së Kosovës figuron i përfshirë në 43 raste penale, në 25 prej tyre në cilësinë e të dyshuarit.


Ai tashmë gjendet në mbajtje për veprat penale të vrasjes së rëndë në tentativë dhe armëmbajtjes pa leje.

Në ditën kur paraburgimi i tre vëllezërve Gashi u ndërpre për vrasjen e vëllait të Mahmut Hoxhajt, e që ky i fundit në shenjë hakmarrje kishte organizuar një pritë të cilën do ta realizonte pasi të njëjtit do të dilnin nga qendra e paraburgimit.

Me dy kallashnikovë në dorë, ai sheh veturën të cilën ishte duke e vozit A.U., e që në të njëjtën veturë ishin edhe tre vëllezërit Gashi. Basriu dhe A.U janë plagosur ndërsa dy vëllezërit e tjerë dhanë deklaratat e tyre

E në vendin e ngjarjes pasi kishin dëgjuar të shtëna disa zyrtarë policorë që të njëjtit tashmë kanë dorëzuar raportet e tyre të intervenimit në rast, kanë ndërhyrë dhe kanë bërë edhe arrestimin e Hoxhajt dhe kishin arritur që të sekuestronin edhe armët që ishin përdorur në rast.

Nga kater personat sa ishin në veturë dy ishin plagosur, njëri më pas u transferua në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës për trajtim të mëtejmë shëndetësor.

KALLXO.com ka arritur që të siguroj dosjen në të cilën përshkruhet kërkesa për caktimin e masës së sigurisë ndaj Mahmut Hoxhajt për veprat penale vrasje e rëndë e mbetur në tentativë si dhe armëmbajtje pa leje.

Në bazë të ngjarjes që kishte ndodhur, provave që janë mbledhur e edhe intervistave të para me të dëmtuarit në këtë rast, prokuroria në Pejë ka kërkuar masën e sigurisë për 30 ditë paraburgim për Hoxhën.

Në dosje përmenden edhe disa paragrafë të shkurta që të dëmtuarit i kanë dhënë në intervistën e tyre për ngjarjen.

Gjithmonë sipas dosjes që ka siguruar KALLXO.com, Agron Gashi ka deklaruar se ‘kanë qenë në burg për shkak të problemeve me Mahmut Hoxhaj dhe dyshimit për vrasjen e vëllait të tij. Në ditën kritike janë liruar nga gjykata dhe A.U., ka shkuar për ti marrë dhe sapo janë nisur janë sulmuar me armë e që janë plagosur A.U. dhe Basri Gashi. Aty e kemi pa të pandehurin Mahmut Hoxhaj dhe afër tij ishin dy armë të gjata AK-47”- ka deklaruar Agron Gashi.