Një rast i rrallë ka ndodhur në Librazhd ku një person (dhëndri) është arrestuar pasi i ka dhënë çiftit të moshuar dozë të lartë valiumi (medikament qetësues) dhe më pas vodhi një shumë të parash.

Policia e Shtetit ka publikuar pamje nga arrestimi i të dyshuarit, 36 vjeçarit.


“Pas marrjes së njoftimit se dy bashkëshortë ishin dërguar fillimisht në spitalin e Librazhdit dhe më pas në QSUT, në gjendje të rënduar shëndetësore dhe të dyshuar për intoksikim, shërbimet e Komisariatit të Policisë Librazhd organizuan menjëherë punën për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes.

Falë veprimeve të shpejta dhe të koordinuara hetimore, të kryera në bashkëpunim me specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve kundër Personit në DVP Elbasan dhe nën drejtimin e Prokurorisë, në kuadër të operacionit ‘Opportunity’, u bë e mundur zbardhja e plotë e ngjarjes, si dhe identifikimi, kapja dhe arrestimi i autorit të dyshuar, shtetasit I. K., 36 vjeç”, thuhet në njoftim.

Nga hetimet rezultoi se autori, i afërm familjar i çiftit të moshuar (dhëndri i tyre), dyshohet se u ka administruar atyre një dozë të lartë medikamenti qetësues, të dyshuar si valium, duke shkaktuar dëmtime të rënda shëndetësore, dhe më pas ka vjedhur një shumë parash në banesën e tyre.

Policia thekson se çifti i moshuar ndodhet nën kujdesin e mjekëve dhe janë jashtë rrezikut për jetën.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan shuma e parave të vjedhura dhe një celular. Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme. /Telegrafi/