I dërguari special i presidentit rus Vladimir Putin për investime dhe bashkëpunim ekonomik, Kirill Dmitriev, tha se pret që lufta në Ukrainë të përfundojë brenda një viti.

Sipas Reuters, Dmitriev e bëri këtë deklaratë në një konferencë investimesh në Riad, kryeqytetin e Arabisë Saudite, përcjell Telegrafi.


Kur u pyet nëse paqja në Ukrainë është e mundur brenda një viti, Dmitriev u përgjigj pozitivisht.

"Unë besoj se po. Jemi të sigurt se jemi në rrugën e paqes dhe duhet ta bëjmë atë të ndodhë", tha ai.

Siç theksohet më tej, në konferencë, Dmitriev po promovonte bashkëpunimin midis Shteteve të Bashkuara, Arabisë Saudite dhe Rusisë - vendet me rezervat më të mëdha të burimeve natyrore në botë - duke thënë se kjo do të ndihmonte që bota të bëhej një vend më i sigurt.

"Njerëzit tani janë të përqendruar në konfliktin rajonal që ekziston rreth Rusisë, por ne nuk duam që ai të përshkallëzohet në një konflikt më të madh. Dhe për këtë duhet të bëjmë më mirë sesa kemi bërë, jo më keq", deklaroi i dërguari i Putinit.

Siç është raportuar, Kirill Dmitriev tha më parë në Uashington se Shtetet e Bashkuara, Ukraina dhe Rusia janë pranë një “zgjidhjeje diplomatike” të luftës. /Telegrafi/