I dënuari për krime lufte, gjenerali serb Nebojsha Pavkoviq, i cili ishte në burg në Finlandë, ka mbërritur në Serbi, njoftoi të dielën, kryeministri serb Gjuro Macut.

Pavkoviq, ish-komandanti i Armatës së Tretë të Ushtrisë Jugosllave, u dënua me 22 vjet burg me një vendim të formës së prerë për krime kundër shqiptarëve në Kosovë në vitin 1999.


Macut tha se kërkesa e qeverisë serbe për t'i dhënë Pavkoviqit lirim të parakohshëm "për arsye shëndetësore", ishte përmbushur, transmeton Telegrafi.

Ai shtoi se ky "akt konfirmon se shteti kujdeset për qytetarët e tij dhe mbështet parimet humane në marrëdhëniet ndërkombëtare". Ai tha se Pavkoviq do të vazhdojë trajtimin e tij në Serbi. Lirimi i tij u njoftua më parë nga presidenti serb Aleksandar Vuçiq.

Pavkoviqi u shpall fajtor për të gjitha akuzat në vitin 2009 dhe u dënua për dëbime, transferime me forcë, vrasje dhe persekutime të civilëve shqiptarë nga Kosova në gjysmën e parë të vitit 1999.

Tribunali i Hagës e paditi atë dhe gjeneralë të tjerë në fund të vitit 2003, dhe në vitin 2005 ai u ekstradua në Gjykatën Ndërkombëtare Penale për ish-Jugosllavinë në Hagë.

Së bashku me të, u dënuan edhe ish-Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Jugosllave, Dragolub Ojdaniqi, ish-komandanti i Korpusit të Prishtinës, Vladimir Lazareviq, gjenerali i policisë Sreten Lukiq dhe ish-zëvendëskryeministri i Republikës Federale të Jugosllavisë, Nikola Shahinoviq.

Pavkoviqi dhe Lukiq u dënuan me nga 22 vjet burg secili, dhe Ojdaniq dhe Lukiq me nga 15 vjet secili. /Telegrafi/