Policia e Shtetit ka bërë të ditur se ka finalizuar operacionin “Çmontimi”, përmes së cilës janë zbuluar dy subjekte ku çmontoheshin dhe shiteshin pjesë automjetesh të kontrabanduara, kryesisht nga Mbretëria e Bashkuar.


Në njoftim thuhet se rasti ka ndodhur në Dimal, ndërkaq janë sekuestruar 68 automjete (pjesërisht të çmontuara).

“Si rezultat i kontrolleve, punës operative dhe asaj hetimore, me fokus konstatimin dhe goditjen e rasteve të kryerjes së aktiviteteve ekonomike, në informalitet dhe/ose me produkte të kontrabanduara, specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare, në bashkëpunim me shërbimet e Forcës së Posaçme Operacionale dhe në koordinim me Prokurorinë e Beratit, finalizuan operacionin e koduar ‘Çmontimi’.

Në kuadër të operacionit u arrestua në flagrancë shtetasi P. D., 30 vjeç, banues në Dimal, dhe u shpall në kërkim shtetasi R. S., 31 vjeç, banues në Kuçovë”, thuhet në njoftim.

Gjatë kontrolleve në subjektin e tyre (servise për automjete/subjekte për shitje pjesësh për automjete), u gjetën përkatësisht 55 dhe 13 automjete (pjesërisht të çmontuara), për të cilat nuk posedoheshin dokumente blerjeje dhe as doganore.

Automjetet dyshohet se janë të kontrabanduara, kryesisht nga Mbretëria e Bashkuar.

Policia njofton se po punohet për kapjen e shtetasit R. S..

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Beratit, për veprime të mëtejshme. /Telegrafi/