LAJMI I FUNDIT:

Hurmat, a e lehtësojnë lindjen?

Hurmat, a e lehtësojnë lindjen?

Që nga mesi i shtatzënisë secila grua fillon të mendojë për procesin e lindjes. Të gjitha shtatzënat duan që të kenë një lindje të lehtë, të shkurtër, të sigurt dhe një bebe të shëndetshme

Dr. Memli Morina, mr. sci
gjinekolog – obstetër
tel. 045 725 725


Normalisht, që ju dhe bashkëshorti juaj, bashkë me mjekun ju duhet ta përgatisni planin e lindjes. Për të qenë lindja më e lehtë duhet që t’i ndiqni me rregull orët edukative antenatale, duhet të këshilloheni rregullisht me mjekun tuaj, duhet të jetoni shëndetshëm dhe duhet që të në konsultim me mjekun tuaj t’i praktikoni ushtrimet fizike gjatë shtatzënisë.

A ka edhe ndonjë mënyrë tjetër që mund të ndihmojë lindjen? Po, mendohet se hurmat mund të ndihmojnë.

Sipas një studimi nëse shtatzëna i han 6 hurma në ditë duke filluar nga java e 36 e shtatzënisë e deri në terminin e lindjes, gjasat janë më të mëdha që ajo të dilatohet më lehtë dhe që të lind në mënyrë spontane, pa pasur nevojë që të merr ilaqe për stimulimin e lindjes.

Ekzistojnë hulumtime në të cilat është studiuar efekti i konsumimit të hurmave në lehtësimin e lindjes (The Effect of Late Pregnancy Consumption of Date Fruit on Cervical Ripening in Nulliparous Women, autorë: Masoumeh Kordi ; Fatemeh Aghaei Meybodi; Fatemeh Tara; Mohsen Nemati; Mohammad Taghi Shakeri).

Ky është një studim klinik i randomizuar ku janë përfshirë 210 gra shtatzëna më një fryt (pra, jo me binjakë ose trenjakë), fryti prezentonte me kokë dhe mosha e shtatzënisë ishte 37-38 javë. Studimi u krye në Spitalin Omolbanin, Mashhad në Iran në vitin 2013. Këto gra u ndanë në mënyrë të rastësishme në dy grupe me nga 105 shtatzëna (grupi eksperimental dhe grupi i kontrollit). Duke filluar nga java e 37 e shtatzënisë, shtatzënat në grupin eksperimental hëngrën 70-75 gram hurma në ditë deri në momentin e lindjes, derisa shtatzënat në grupin e kontrollit morën kujdesin rutinor.

Rezultatet e këtij studimi treguan se Bishop score në pranim ishte më i madh në grupin eksperimental, krahasuar me grupin e kontrollit (sa më i lartë që të jetë Bishop score aq më e favorshme është lindja vaginale). Dilatimi i qafës së mitrës në pranim në grupin eksperimental ishte dyfish më i madh se sa në grupin e kontrollit. Poashtu, përqindja e induksionit të suksesshëm ishte me e lartë në grupin eksperimental.

Si përfundim, dilatimi i qafës së mitrës ishte më i madh te shtatzënat të cilat kishin konsumuar hurma, krahasuar me grupin e kontrollit të cilat kishin marrë kujdesin rutinor. Derisa hurmat janë fruta që japin energji dhe materie ushqyese, këta hulumtues e rekomandojnë për gratë shtatzënat në javët e fundit të shtatzënisë.

Ky studim është bërë në një numër të vogël të shtatzënave dhe rezultatet e tij mund të jenë të diskutueshme, por derisa hurmat janë fruta të shëndetshme, atëherë është mirë që t’i hani pa pasur frikë se mund ta rrezikoni beben tuaj.

Hurmat japin një efekt të ngjashëm sikurse dhënia e oksitocinës duke e bërë muskulin e mitrës më të ndjeshëm. Poashtu, konsiderohet se përveç stimulimit të kontraksioneve të mitrës, hurmat e ulin rrezikun për shfaqjen e gjakrrjedhjes pas lindjes.

Hurmat përmbajnë acide yndyrore të ngopura dhe të pangopura si acidi oleik, linoleik dhe linolenik të cilat ndihmojnë në prodhimin e prostaglandinave, Poashtu, hurmat kanë serotoninë, taninë dhe calcium të cilat ndihmojnë tkurrjet e muskulit të mitrës. Hurmat, gjithashtu e pengojnë kapsllëkun dhe në këtë mënyrë i bëjnë më efektive tkurrjet e mitrës.

shutterstock

Përbërësit tjerë që i ka hurma dhe që janë të dobishëm për organizmin tuaj janë:

• Sheqernat natyrore si psh., fruktoza e cila i jep energji organizmit tuaj, energji e cila është e domosdoshme gjatë lindjes.

• Fibrat, të cilat ju ndihmojnë që ta ndjeni veten të ngopur dhe e pengojnë kapsllëkun. Poashtu, fibrat e zvogëlojnë rrezikun për shfaqjen e diabetit gestacional dhe të preeklampsisë.

• Kaliumi është minerali kryesor që ndihmon në mbajtjen e baraspeshës midis ujit dhe kripërave në organizëm duke e rregulluar kështu shtypjen e gjakut.

• Magnezi e pengon shfaqjen e spazmave të muskujve gjatë shtatzënisë.

• Folatet të cilat janë të domosdoshme për zhvillimin e trurit të palcës kurrizore.

• Vitamina K që ndihmon në procesin e mpiksjes së gjakut dhe në shëndetin e kockave.

Duhet ta keni parasysh se mënyra më e sigurt për të pasur një lindje të shëndetshme është në konsultim me mjekun tuaj të praktikoni ushtrimet fizike gjatë shtatzënisë, të ushqeheni shëndetshëm dhe që të keni përkrahjen e duhur gjatë lindjes.

Paçit një lindje të lehtë dhe një bebe të shëndetshme! /Telegrafi/