LAJMI I FUNDIT:

Hoxhaj do të raportojë para Komisionit për Punë të Jashtme për deklaratat e tij në lidhje me UNMIK-un

Hoxhaj do të raportojë para Komisionit për Punë të Jashtme për deklaratat e tij në lidhje me UNMIK-un

Kryetar i Komisionit për Punë të Jashtme, Elmi Reçica, pas takimit me shefin e UNMIK-ut në Kosovë, Zahir Tanin, tha se nuk ka ndonjë informacion se ministri i Punëve të Jashtme (MPJ), ka kërkuar që të pushojë së funksionuari misioni i UNMIK-ut në Kosovë.

Ai ka sqaruar para medieve se ministri Enver Hoxhaj, do të thirret shumë shpejt që të raportojë para Komisionit të cilin e drejton.


Kryetari i Komisionit, duke i komentuar deklaratat e deputetit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Daut Haradinaj, tha se deklarata e tij është keqkuptuar, raporton Telegrafi.

Daut Haradinaj kishte theksuar para disa ditësh, se në rast se ish–kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, dorëzohet tek autoritetet serbe, vendi mund të futet në luftë.

Deputetja nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje (VV), Puhie Demaku, ka theksuar ajo që është diskutuar brenda është fakti se nuk i takon Ministrisë së Punëve të Jashtme që të  bëjë një kërkesë për të përmbyllur misionin e UNMIK-ut nga Kosova, dhe se “është detyrë e shteteve anëtare dhe Asamblesë të Përgjithshme të Sigurimit”.

“Kjo paraqet josinqeritetin e institucioneve të Kosovës. Reduktimin dhe përmbylljen mund ta bëjnë vetëm Këshilli i Sigurimit dhe Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara. Një gjë të tillë nuk mund ta bëj MPJ”, ka shtuar Demaku./Telegrafi/