LAJMI I FUNDIT:

Hoxhaj: Haradinaj po shantazhon kur po thotë “ose unë President, ose shkojmë në zgjedhje”

Hoxhaj: Haradinaj po shantazhon kur po thotë “ose unë President, ose shkojmë në zgjedhje”

Kryetari në detyrë i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj, ka thënë që pas Gjykatës Speciale, PDK-ja goditjet e vetme që i ka marrë nga brenda, kanë qenë ato të kreut të AAK-së, Ramush Haradinajt.

“Prej se Gjykata Speciale ka goditur PDK-në nga jashtë, në këta muajt e fundit goditjet e vetme që i ka marrë nga brenda PDK-ja, kanë qenë këto që i ka marrë nga Haradinaj. Sikur qëndrimet që i ka pasë Haradinaj, prej kur Specialja e bëri publike komunikatën e këtij viti. Prej reagimeve të para, ka qenë ajo e tij [Haradinaj], ku e shpalli kandidaturën për t’u bërë president i vendit dhe dy tre ditë pas shkuarjes në Gjykatë të Veselit, Thaçit e të tjerëve, Haradinaj kërcënoi në një intervistë, duke thënë që nëse nuk ka zgjidhje për presidentin, ka zgjedhje të parakohshme”, tha ai.

Hoxhaj në Klan Kosova, theksoi që kjo është një lloj shantazhi që sipas tij, po e bën Haradinaj, në raport me partitë tjera politike dhe PDK-në.


“Kjo tregon që ai po e ndjek një qasje të shantazhit – ose unë president ose shkojmë në zgjedhje të parakohshme. Në pikëpamjen time, Haradinaj në 20 vitet e fundit e ka ndjekur një qasje duke e torturuar skenën politike ‘ose unë bëhem kryeministër ose nuk ka asgjë’. Mendoj që PDK-ja, ia ka kthyer nderin Haradinajt, duke e bërë kryeministër në vitin 2017, por edhe vetë LDK-ja e ka ndihmuar Haradinajn që të bëhet kryeminsitër në vitin 2004. Këto parti politike, duke qenë parti të para fituese kanë sakrifikuar duke e mbështetur një njeri si ai”, u shpreh Hoxhaj.

Hoxhaj ka thënë se ish-kryetari i PDK-së Kadri Veseli nuk ia ka premtuar Ramush Haradinajt votat e PDK-së për president.

Ai tha se nëse Veseli do të kishte dhënë një premtim të tillë, atëherë çështja e presidentit do të ishte temë e mbyllur.

“E vërteta është që Kadri Veseli asnjëherë nuk i ka premtuar Ramush Haradinajt që do të mund ta kishte mbështetjen e PDK-së për t’u bërë president. Po të kishte një premtim nga [Kadri] Veseli, ne nuk do ta kishim fare këtë temë. Do të ishte temë e mbyllur, sepse vendimet që i ka marrë Kadri Veseli, apo Hashim Thaçi në të kaluarën, ne si deputetë të PDK-së asnjëherë nuk i kemi vendosur në pikëpyetje”.

Hoxhaj ka konfirmuar se ishte planifikuar që të mbahej një takim me liderët e koalicionit qeverisës në ditën kur Kadri Veseli udhëtoi drejt Hagës, por ka shtuar se qëndrimi që kryetari i PDK-së atëherë do ta kishte shpalosur po këtë qëndrim që e ka sot PDK-ja për postin e presidentit.

“Është e vërtetë që ka pasë të ndodhë një takim, por qëndrimin që do ta thonte Kadri Veseli në atë takim është qëndrimi që po e them unë. Po të kishte premtim nga Kadri Veseli, PDK-ja do ta votonte, por një premtim i tillë nuk ka ndodhur. Partnerët e koalicionit dhe Ramush Haradinaj duhet ta kuptojnë që PDK-ja mbetet në opozitë. Ne nuk po kërkojmë që ta determinojmë mënyrën dhe emrin e zgjedhjes së presidentit, por nëse këta kërkojnë votat tona, atëherë mendojmë që duhet ta kemi të drejtën e propozimit tonë. Më së paku mund ta votojmë një kandidat që vjen nga një parti politike si AAK-ja, që aktualisht sipas sondazheve mund t’i ketë rreth 6 për qind, pra nuk mund ta reflektojë unitetin e popullit”.

Ai ka insistuar se është temë e mbyllur që PDK-ja mund ta votojë një kandidat për president që nuk është propozim i partisë që ai e drejton aktualisht.

“Jo vetëm në raport me Ramush Haradinajn. Është temë e mbyllur për PDK-në që nëse partnerët e koalicionit kërkojnë votë nga PDK-ja për një kandidat të tyre, ne nuk do ta votojmë asnjë kandidat të LDK-së, Nismës, apo AAK-së. Nëse do të ketë takim mes partive politike parlamentare që të bisedojmë, ne jemi të gatshëm që të ulemi dhe të bisedojmë. Në takim shkojmë me qëndrimin që partnerët e koalicionit janë palë dhe duhet të kenë qëndrime të përbashkëta dhe qëllime të përbashkëta. Nuk është detyrë e jona, si PDK, që t’i harmonizojmë qëndrimet e tyre”, tha ai.