LAJMI I FUNDIT:

Hoxha merr përkrahje nga Zvicra për proceset integruese

Hoxha merr përkrahje nga Zvicra për proceset integruese

Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, priti sot në takim, Ruth Huber, udhëheqësen e Bashkëpunimit për Evropën lindore pranë Agjencisë Zvicerane për Bashkëpunim Zhvillimor (SDC).

Në takim, me përfaqësuesit e SDC-së, ishte edhe Georgette Bruchez, Shefe e divizionit për Ballkanin Perëndimor, Jean Hubert Lebet, Ambasador i Zvicrës në Kosovë si dhe bashkëpunëtorë nga Zvicra.

Ministrja Hoxha vlerësoi lart bashkëpunimin me Zvicrën duke vënë theksin te proceset aktuale që po kalon vendi, liberalizimi i vizave, zbatimi i MSA-së, reformat nga Agjenda Evropiane dhe reformat ekonomike.


“Bashkëpunimi ynë me institucionet e Zvicrës, i kanë kontribuar mirëqenies së qytetarëve të Kosovës, në fuqizimin e sundimit të ligjit, zbatimin e reformave si dhe ngritja e prodhimit vendor e punësimit, arsimin profesional, ruajtjes së ambientit dhe fushat tjera me rëndësi për procesin integrues”, theksoi Hoxha.

Huber, udhëheqëse e bashkëpunimi për Evropën lindore pranë Agjencisë Zvicerane për Bashkëpunim Zhvillimor (SDC) theksoi se Kosova ka shënuar progres në shumë fusha, në veçanti në reforma të gjithanshme dhe procesin integrues, duke shtuar se Zvicra mbështet rrugën integruese të Kosovës në institucionet ndërkombëtare dhe finalizimin sa më të shpejt të procesit integrues.

Ministrja Hoxha e falënderoi Huber për përkrahje duke theksuar se integrimi euro-atlantik i vendit tonë është i pashmangshëm si dhe vlerat e këtij integrimi, duke vënë në dukje se Zvicra mbetet mike e fuqishme e shtetit dhe shtetësisë së Kosovës. /Telegrafi/