LAJMI I FUNDIT:

Holanda mbështet ngritjen e cilësisë së qumështit vendor në Kosovë

Holanda mbështet ngritjen e cilësisë së qumështit vendor në Kosovë

Përmes projektit “Programi për trajnime në sektorin e prodhimit të qumështit në Kosovë”, synohet ngritja e kapaciteteve në industrinë prodhuese të qumështit. Promovimi i këtij projekti dy vjeçar është bërë sot, ndërkaq do të mbështetet nga Ambasada e Holandës në Kosovë dhe do të zbatohet nga Shoqata e Prodhuesve të Qumështit të Kosovës dhe Universiteti i Shkencave të Aplikuara AERES të Holandës.

Me këtë rast, zëvendësministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Mevludin Krasniqi, tha se ky projekt do të ndikojë në avancimin e mëtejmë të sektorit të qumështit.

Ai ka treguar se Ministria e Bujqësisë përmes politikave mbështetëse nga viti në vit po krijon klimë të favorshme për investime dhe zhvillim të sektorit të qumështit.

“Ministria e Bujqësisë edhe sivjet është duke e mbështetur sektorin e qumështit, ku përmes subvencionimit synojmë rritjen e fondit blegtoral dhe ngritjen e cilësisë së qumështit, ndërsa përmes granteve investive jemi duke investuar në ferma, në pajisje për avancimin teknologjik të përpunimit të qumështit dhe në shumë hapësira tjera”, ka thënë zëvendësministri Krasniqi.

Ambasadorja e Holandës në Kosovë, Gerrie Willems, ka thënë se projektet e tilla ndikojnë në avancimin e sektorit të qumështit.

“Ky projekt ka rëndësi për industrinë e qumështit në Kosovë dhe duke ditur se Holanda ka një prodhimtari më të madhe të qumështit në botë, atëherë Holanda edhe duhet të jetë model për Kosovën. Për këtë arsye Qeveria e Holandës ka shpreh gatishmërinë e mbështetjes së këtij sektori në Kosovë që ndikon në zhvillimin ekonomik të vendit”, ka thënë ajo.

Në anën tjetër, kryetari i Shoqatës së Prodhuesve të Qumështit, Milazim Berisha, ka treguar se në kuadër të këtij projekti do të bëhet një vlerësim i prodhimtarisë së qumështit dhe në bazë të analizave do të trajnohen një pjesë e stafit në një periudhë të caktuar në Holandë.

Sipas tij, ky projekt do të ndikojë në ngritjen e mëtejmë të kapaciteteve të sektorit të qumështit në vend. /Telegrafi/