Historia e vërtetë e Arratisjes së Madhe
Nga: Aine Quinn / BBC
Përkthimi: Telegrafi.com
Në një natë me dëborë dhe pa hënë në vitin 1944, mbi 200 oficerë aleatë tentuan të arratiseshin nga një kamp gjerman i të burgosurve të luftës. Ishte kulmi i një plani jashtëzakonisht ambicioz, i cili zgjati më shumë se një vit dhe përfshinte ryshfete, gërmime tunelesh dhe prodhimin në seri të pajisjeve, uniformave dhe dokumenteve - ku gjithçka duhej të fshihej me kujdes nga rojet dhe spiunët e kampit.
Arratisja e Madhe [The Great Escape], filmi i vitit 1963 i regjisorit John Sturges mbi këtë arratisje, është një klasik shumë i dashur, me aktorë si Steve McQueen, Richard Attenborough dhe James Garner. Por, përmban shumë pasaktësi. Historiani dhe prezantuesi i podkastit Historia e kondensuar [Condensed History], Jem Duducu, në një intervistë për Metro e përshkroi si "një përzierje e çuditshme mes një rikrijimi të kujdesshëm dhe një fantazie të pastër holivudiane".
Historia u tregua për herë të parë nga Paul Brickhill, një nga pjesëmarrësit në përgatitjen e arratisjes, në librin e tij të vitit 1950, Arratisja e madhe [The Great Escape]. Ai përshkruan Ley Kenyonin, i cili ilustroi librin, si "falsifikuesin mjeshtëror" të misionit. Duke folur për filmin në një intervistë me Dilys Morganin në emisionin Nationwide të BBC-së në vitin 1977, Kenyon tha:
“Filmi ishte argëtues, por nuk e shprehte aspak tmerrin e vërtetë të të qenit i burgosur lufte - tmerrin, sigurisht, të ndjenjave personale nga të qenit prapa telave me gjemba: mërzia, uria. Uria ishte veçanërisht e rëndë”.
Të tjerë ish-të burgosur kishin një mendim ndryshe për filmin. Charles Clarke, i cili ndodhej në kamp në atë kohë dhe kishte ndihmuar në plan si vëzhgues, i tha BBC-së në një intervistë radiofonike në vitin 2019: “Edhe pas gjithë këtyre viteve, gjithmonë kam menduar se ishte një film i jashtëzakonshëm”.
Një ndryshim i madh që bëri filmi ishte në personazhet e përfshira. Edhe pse ngjarjet e Arratisjes së Madhe janë kryesisht të bazuara në fakte reale, emrat u ndryshuan dhe disa njerëz u përshkruan si karaktere të përbëra nga disa individë. Në kohën e arratisjes, asnjë amerikan nuk ndodhej më në kampin kryesor, dhe njeriu që thuhet se ishte modeli për personazhin e Steve McQueenit, Virgil Hilts - William Ash - nuk mori pjesë. Plani u udhëhoq nga komandanti i skuadriljes Roger Bushell - i cili në film u quajt Bartlett dhe u interpretua nga Attenborough. Bushelli ishte kapur për herë të parë në vitin 1940, pasi u rrëzua me aeroplan dhe kishte një histori mbresëlënëse tentativash arratisjeje - një herë arriti të afrohej vetëm 100 metra pranë kufirit me Zvicrën neutrale.
Stalag Luft III ishte përpjekja e gjermanëve për të ndërtuar një kamp të pamundur për arratisje, i dedikuar posaçërisht për oficerët e forcave ajrore nga Mbretëria e Bashkuar, Kanadaja, Australia, Polonia dhe vende të tjera aleate. Ai u ndërtua dhe u administrua nga forcat ajrore [Luftwaffe] si një vend i sigurt për të mbajtur njerëzit që ata i konsideronin si kërcënim për arratisje. Ajo që nuk kishin marrë parasysh, megjithatë, ishte pasoja e mbledhjes së kaq shumë ekspertëve të arratisjes në një vend të vetëm.
Kampi ishte ndërtuar mbi një tokë ranore, e cila ishte shumë e vështirë për t’u gërmuar për të hapur tunel. Shtresa e poshtme ishte gjithashtu më e çelët dhe më e verdhë se shtresa sipërfaqësore e errët, gjë që e bënte të dukshme nëse dilte në sipërfaqen e kampit. Barakat ishin ngritur mbi këmbë tullash në mënyrë që të ishte më e lehtë të vërehej nëse po hapej ndonjë tunel poshtë tyre. Brickhilli përshkruan në librin e tij një "gardh të dyfishtë me tela me gjemba, nëntë këmbë (2.75 metra) i lartë", dhe menjëherë jashtë tij, “kullat e rojeve” 15 këmbë (4.5 metra) të larta çdo 100 jardë (rreth 90 metra), të mbikëqyrura nga rojet e armatosura me reflektorë dhe mitraloza. Për më tepër, në tokë kishin vendosur mikrofonat për të kapur çdo tingull që vinte nga gërmimet.
Siç mund ta prisni nga një plan i hartuar nga ushtarakët, puna për gërmimin e tuneleve u zhvillua me efikasitet ushtarak. Bushelli - i njohur edhe si “Big X” - ishte në krye të operacionit dhe shpërndante detyra të ndryshme te pjesëtarët e tjerë. Planet nisën madje përpara se të ndërtohej Stalag Luft III: Bushelli dhe disa të tjerë e dinin që kampi po bëhej, dhe u ofruan si vullnetarë për të ndihmuar në ndërtimin e tij. Kjo u dha mundësinë ta hartonin dhe të zgjidhnin pikat më të përshtatshme për hapjen e tuneleve. Bushelli pati idenë që të hapeshin jo një, por tri tunele njëkohësisht. Logjika ishte që nëse gjermanët do të zbulonin njërin, nuk do të dyshonin se ekzistonin edhe dy të tjerë. Ato do të përmendeshin vetëm me emrat e tyre të koduar: Tomi, Diku dhe Heri. Bushelli kërcënoi me gjyq ushtarak këdo që do të përmendte fjalën “tunel”.
Qëllimi ishte që të arratiseshin 200 burra. Ishte një ndërmarrje gjigante. Çdo burrë kishte nevojë për veshje civile, leje të falsifikuara, një busull, ushqim dhe pajisje të tjera. Disa leje kërkonin edhe fotografi, ndaj një aparat fotografik u fut në kamp nga një rojtar i korruptuar. Në film, personazhi Donald Pleasence është përgjegjës për falsifikimet. Në realitet, Kenyoni ishte një nga falsifikuesit që duhej të krijonte mijëra dokumente të rreme. Në intervistën për Nationwide, ai ka thënë: “Ndërtuam një shtypshkronjë, për një gjë, dhe çdo shkronjë duhej të gdhendej me dorë në gomën të cilën e merrnim nga këpucarët - nga thembrat e këpucëve - ose në copa druri që priteshin me brisk”. Çdo dokument duhej të ishte perfekt. Ata kopjonin dokumente që ose i kishin vjedhur nga rojet, ose kishin bindur rojet t’ua tregonin. “U prodhuan rreth 7-8 mijë copë dokumente”, tha ai.
Vetë tunelet ishin mrekulli inxhinierike dhe shpikëse. Një pompë ajri u ndërtua me çanta ushtarake dhe dru, dhe ajri kalonte përmes një tubi të bërë nga kanaçet e qumështit të dërguara nga Kryqi i Kuq. Një problem i madh ishte se ku do ta çonin gjithë atë rërë të nxjerrë. Çanta të varura brenda pantallonave, të ndërtuara nga të brendshmet e gjata, përdoreshin për të shpërndarë rërën rreth kampit, ku më pas fshihej me shkelma.
Nga tri tunelet, Tom u zbulua nga rojet pak para se të përfundonte. Pas një pushimi, u vendos që të vazhdohej vetëm me Herin. Ky tunel përfundoi në dimrin e vitit 1943 dhe u mbyll derisa të krijoheshin kushtet e duhura për arratisje. Ajo natë erdhi më 24 mars 1944. Shumë gjëra shkuan keq, por në fund, nga 220 personat e përzgjedhur, 76 arritën të dilnin përpara se i 77-ti të zbulohej nga një roje.
Një operacion masiv u organizua për të kapur 76 të arratisurit. Të gjithë e dinin se gjasat ishin që të kapeshin, por shumica e shihnin si detyrë përpjekjen për arratisje. Një tjetër synim i tyre ishte të detyronin gjermanët të tërhiqnin burimet nga përpjekjet luftarake, për të ruajtur dhe kërkuar të arratisurit. Sipas Brickhillit, pesë milionë gjermanë morën pjesë në kërkimin për të burgosurit e arratisur. Të gjithë, përveç tre vetëve, u kapën sërish. Dy arritën të shkonin në Suedi, dhe njëri në Spanjë.
Hitleri donte që të pushkatoheshin të gjithë 73 të burgosurit e arrestuar sërish. Ata përreth tij arritën ta bindin të hiqte dorë nga kjo - në fund të fundit, britanikët mbanin të burgosurit gjermanë të luftës dhe nuk do ta pranonin lehtë masakrimin e oficerëve të tyre. Megjithatë, Hitleri urdhëroi që 50 prej tyre të vriteshin. Ken Rees, i cili ndodhej në tunel kur u zbulua, në vitin 2010 tregoi në një episod të podkastit të BBC-së, Witness History, se kishte dëgjuar që ata që u vranë ishin “nxjerrë dy nga dy ose tre nga tre dhe janë pushkatuar”.
Në versionin e filmuar, të gjithë burrat u dërguan në një fushë dhe u pushkatuan me mitraloz, por realiteti ishte shumë më i pabesë. Libri i Brickhillit tregon se burrat u dërguan në grupe të vogla në drejtim të kampit fillestar dhe u qëlluan gjatë rrugës. Ai shkroi: “Vrasjet do të shpjegoheshin me faktin se oficerët e kapur sërish u vranë gjatë përpjekjes për të ikur, ose sepse rezistuan, në mënyrë që më pas të mos mund të vërtetohej asgjë”. Të gjitha trupat u dogjën në krematorium, dhe, siç vuri në dukje ministri i Jashtëm britanik Anthony Eden, në një fjalim në Parlament në qershor 1944, arsyeja e vetme për këtë ishte fshehja e mënyrës së vdekjes së tyre.
Bushelli ishte njëri nga burrat që u kap dhe u vra. Ai vdiq në moshën 33-vjeçare. Detajet e vdekjes së tij dolën në hetimin që u bë më pas: bashkë me shokun e tij të arratisjes, u qëllua në shpinë nga oficerët e Gestapos. Hiri u kthye në kamp bashkë me të të tjerëve, por sipas mbesës së tij, urnat u thyen kur trupat aleate përparuan drejt kampit, dhe kështu, më shumë se 80 vjet më vonë ai mbetet ende atje.
Dy nga burrat që arritën të shmangnin ekzekutimin ishin Jimmy James dhe Sydney Dowse. Në një dokumentar të vitit 2012, Dowse tregoi përjetimin e tij si i mbijetuar. “Fillon dhe e pyet veten pse dreqin nuk u vrave edhe ti. Këtë ndjenjë kishim unë dhe Jimmy. Pse nuk na pushkatuan? Mund të na kishin pushkatuar fare lehtë. Ishte thjesht një fat. Dhe ... fat goxha i tmerrshëm”.
Ekzekutimi i 50 të burgosurve të luftës shkaktoi zemërim të madh në Mbretërinë e Bashkuar. Edeni, në fjalimin e tij para Parlamentit, deklaroi: “Qeveria e Madhërisë së Tij duhet, prandaj, të evidencojë protestën serioze kundër këtyre veprimeve të gjakftohta e të egra. Ajo nuk do të ndalë kurrë përpjekjet për të mbledhur provat për të identifikuar të gjithë ata që janë përgjegjës. Është e vendosur që këta kriminelë të neveritshëm të ndiqen deri te njeriu i fundit, kudo që fshihen. Kur lufta të përfundojë, ata do të përballen me drejtësinë e merituar”. Pas luftës, u ndërmor një hetim i gjerë për vrasjet. Si rezultat, u zbuluan hollësitë dhe 13 oficerë të Gestapos u varën për pjesëmarrjen e tyre në ekzekutime.
Gjashtë vjet pas arratisjes, në vitin 1950 Brickhilli botoi rrëfimin e tij për ngjarjen, i cili më vonë u përshtat në filmin e famshëm. Kur Charles Clarke u pyet për mendimin e tij mbi versionin holivudian të ngjarjeve, ai tha: “Pa filmin, kush do ta kujtonte se çfarë arritjeje madhështore ishte ajo”? /Telegrafi/






























