LAJMI I FUNDIT:

Historia e madhe e një prej Kuranëve më të vegjël në botë, ruhet prej disa brezash në Shqipëri

Historia e madhe e një prej Kuranëve më të vegjël në botë, ruhet prej disa brezash në Shqipëri

Rituali është gjithmonë njësoj. Mario Prushi lan me kujdes duart dhe fytyrën përpara se të puthë dhe të vendosë në ballin e tij një nga Kuranët më të vegjël në botë.

Për breza me radhë, libri me përmasat e një pulle poste është trashëguar në familjen e tij, duke u mbijetuar luftërave dhe regjimit fanatik komunist që nuk lejonte fetë.


Ekspertët thonë se është një nga Kuranët më të vegjël në qarkullim, me librin e vogël që mbahet brenda një kutie argjendi, e nxirë me kalimin e viteve.

“E kemi trashëguar nga brezi në brez me një përkushtim absolut”, tregon 45-vjeçari Prushi për agjencinë e lajmeve “AFP”, nga shtëpia e tij në Tiranë.

Vetëm 2 centimetër i gjerë dhe 1 centimetër i hollë, libri thuajse zhduket në pëllëmbën e pronarit të tij dhe mund të lexohet vetëm me një xham zmadhues.

Është e vështirë të përcaktosh se kur daton ky Kuran, në mungesë të analizave shkencore, por sipas studiuesit Elton Karaj, libri me 900 faqe ka nisur të qarkullojë që prej shekullit të 19-të.

“Ky Kuran është printuar në një format shumë të vogël, është ndër më të vegjlit në botë. Në pamje të parë mund të them se publikimi i tij daton nga fundi i shekullit të 19-të”, thotë Karaj.

Ruhet për mrekulli

Madhësia e tij nuk është e vetmja gjë e jashtëzakonshme e Kuranit. Ajo është gjithashtu përgjegjëse për konvertimin e familjes Prushi nga katolicizëm në islam.

“Stërgjyshërit e mi po gërmonin tokën për një shtëpi të re në rajonin e Gjakovës të Kosovës kur gjetën trupin e ruajtur në mënyrë perfekte të një njeriu të varrosur atje”, tha Prushi.

“Kurani u gjet i paprekur i shtrirë mbi zemrën e tij.”

Familja e mori zbulimin si një shenjë hyjnore dhe përqafoi Islamin.

Gjyshi i tij, oficer në ushtrinë e mbretit Zog të Shqipërisë në vitet 1930, dinte arabisht dhe ftonte miqtë në shtëpinë e tij çdo natë për të lexuar vargje nga ajo.

Vite më vonë, nën diktaturën komuniste të Enver Hoxhës – i cili ndaloi plotësisht të gjitha format e fesë dhe i dërgoi të gjithë besimtarët praktikues në burg – libri mbijetoi pjesërisht sepse mund të fshihej kaq lehtë.

“Dikush kishte lajmëruar policinë sekrete se ne kishim një Kuran në shtëpinë tonë, por ishte aq i vogël sa babai im arriti ta fshihte. Agjentët lëvizën qiellin dhe tokën por nuk e gjetën”, tha Prushi.

‘Bekimet’

Pas incidentit, babai i Prushit, Skënderi, vendosi t’ua besonte Kuranin miqve në Kosovën fqinje, pasi e kishte kontrabanduar përtej kufirit të fshehur në një kamion plot me qymyr.

Ai e mori atë vetëm pas luftës në Kosovë në vitin 1999, ku u varros gjatë për ta shpëtuar nga luftimet.

Më pas Prushi trashëgoi Kuranin pak para vdekjes së babait të tij në vitin 2012.

“Ky libër i vogël mbart shumë histori, bekime dhe mrekulli. Është shumë i dashur për mua”, tha Prushi.

“Sa herë që e prek, prekem”, tha bashkëshortja e tij Blerina për AFP.

“Kur diçka shkon keq ose kur vajza jonë është e sëmurë, ne ndihemi të qetësuar, e dimë se Kurani do të na mbrojë, është një hajmali e vërtetë”, shtoi ajo.

Familja ka marrë oferta të shumta për ta blerë, përfshirë edhe nga muzetë.

“Nuk e mendoj kurrë ta shes”, tha Prushi. “Ky Kuran i përket familjes sonë dhe do të mbetet gjithmonë me ne”. /Telegrafi/

Në trend Lajme

Më shumë
KSHZ publikon rezultatet e para përfundimtare, këto janë rezultatet

KSHZ publikon rezultatet e para përfundimtare, këto janë rezultatet

Politikë
Arrestohen 17 persona në Serbi, falsifikonin dokumente të pronave të serbëve për shqiptarët nga Kosova

Arrestohen 17 persona në Serbi, falsifikonin dokumente të pronave të serbëve për shqiptarët nga Kosova

Lajme
Bujar Osmani shpall fitore: Dallimi është mbi 40 mijë vota ndaj Taravarit

Bujar Osmani shpall fitore: Dallimi është mbi 40 mijë vota ndaj Taravarit

Politikë
Zgjedhjet në RMV, Abdixhiku: Sikur shqiptarët të bëheshin bashkë me një kandidat, sot do të ishin në balotazh

Zgjedhjet në RMV, Abdixhiku: Sikur shqiptarët të bëheshin bashkë me një kandidat, sot do të ishin në balotazh

Lajme
Del rezultati përfundimtar në Gostivar, këto janë rezultatet

Del rezultati përfundimtar në Gostivar, këto janë rezultatet

Politikë
Iu mori shokëve një milion euro duke mashtruar për vetëvrasje:

Iu mori shokëve një milion euro duke mashtruar për vetëvrasje: "Unë po i jap fund jetës, amanet gruan dhe dy djemtë"

Lajme
Kalo në kategori