LAJMI I FUNDIT:

Histori jete dhe histori teatri

Histori jete dhe histori teatri

Nga: Josif Papagjoni

Mbaj mend se e kam lexu ar komedinë e famshme “Sirano de Berzherak” të Edmond Rostandit, ndofta para 40-50 vjetësh. Në një sfond të kuq, plot dritë, kopertina e librit konfiguronte hundën e madhe të Siranosë, kapelën e tij me pendë prej fisniku dhe një krenari që kullonte gjithkund buzëqeshjes së tij. Ishte, në fakt, portreti i aktorit Kostant Koklen që e luajti i pari rolin e Siranosë.


Dhe më ka mbetur ende në tru shija e mirë e leximit për kalorësin-poet, dyzimin e njeriut, “dështakun” ndaj femrave, por një shpirt i zjarrtë, i jashtëzakonshëm, që të ngazëllente me patoset e tij lirike. I shëmtuari i bukur, shfrimet lirike derdhur në letrat e dashurisë së fshehtë, hundmadhi fisnik, i “padukshmi” i “dukshëm” ose fytyra në tjetër fytyrë, një këngëtar pasional i dashurisë dhe i ndjenjës së ëmbël erotike. Ja, këto më kishin mbetur në mendje. Dhe atë kohë kur e pata lexuar, bëja “kritikën e kritikës”: Pse quhet komedi kjo vepër?

Çfarë ka këtu për të qeshur veç hundës së madhe të Berzherakut?! Dhe në vend që të qeshja, unë veçse shijoja vargjet dhe poemën e dashurisë së atij njeriu të mirë, bujar, të ëmbël, aventurier i thekur, paçka se me një fytyrë të shëmtuar dhe hundën e madhe qesharake? Më pas e shijova kontrastin që fshihej tek i jashtëzakonshmi De Berzherak. Në bulb vepra ishte përnjëmend komedi, sepse kishte brenda kundërshtinë midis bukurisë së shpirtit dhe shëmtisë së fytyrës. Dhe udhës së përthellimit të kësaj kundërshtie, më shumë në mendjen time kishte mbetur ai tisi poetik i njeriut të kredhur në ligjërimet dhe përvuajtjet turbulluese të dashurisë, le ta quajmë njeriu shpirtbukur, jo njeriu si rob i etikës përtharëse, konvencionit etik dhe rëndomtësisë. Njeriu i madh, jo njeriu i vogël.

Andaj dhe Sirano, sido që nën qesëndinë e humorit, bartte përnjëmend të Madhërishmen e zemrës njerëzore. Prandaj ai triumfon. Sa njerëz jo të bukur ka kjo botë, por që janë përkundrazi shpirtbukur. Se ngaherë triumfon zemra, jo syri.

Komedinë lirike “Sirano de Barzherak” e pat shkruar një poet i ri, Edmond Rostand quhej, bashkëkohës me komediografin e njohur të fundshekullit XIX, Xhorxh Fejdo. Siranonë e luajti në kryeherë një nga aktorët më të mëdhenj të historisë së aktrimit francez, Kostant Koklen; 410 herë, pareshtur, tek e njëjta skenë e teatrit “Theatre de la Porte Saint-Martin”. E më pas kjo komedi u luajt mijëra herë në teatrot franceze e ato të botës duke u kthyer në një visar të dramaturgjisë franceze, më e luajtura vepër në historinë e këtij teatri, referencë e përjetshme e testimit artistik në rrjedhën e viteve. Nga të rrallët e interpretimit të Sirano de Berzherak pas Koklenit më 1897, në fundshekullin XX ka qenë aktori i mirënjohur francez Zherar Depardie.

Dhe ja, historinë e shkruarjes së kësaj komedie e risolli Alexsis Michalik në komedinë “Edmond”, e cila sjellë ecejakun mes jetës së Rostandit si autor i saj dhe jetës së personazhit të tij të famshëm Sirano de Berzherak, përfshirë më tutje jetën e aktorëve dhe procesin e vënies në skenë të veprës. Kur regjisorët e kësaj shfaqjeje, Andia Xhunga dhe Indrit Çobani, dy ish-studentë të mi, dashuruar auditorëve dhe sot një çift i ëmbël (të cilët i kam për zemër qysh viteve të studimeve), pata dëshirën të kishin sukses. Dhe patën sukses. Salla e priti me duartrokitje të zgjatura. Unë i citova disa ide dhe cilësi letrare të komedisë “Sirano de Berzherak”, të cilat rivijnë tashmë ndryshe, të përthyera, në komedinë “Edmond”, nën një narrativë lirike e komike mbi historinë e krijimit të saj dhe vënies në skenë. Ka dhe diçka të veçantë shfaqja: kohën e përgatitjes. Qenë vite pandemie. Rrezik infektimi. Vdekja shëtiste udhëve të Tiranës dhe kryeqyteti ishte kthyer në një gërmadhë, me heshtjen e frikshme, rrugët e shkretuara dhe ngrehinat e belbëta si shtatore të përbindshme e shkretane. Tmerri rrinte çdokund. Sirenat e ambulancave ulërinin. Dhe bash kësaj kohe Covidi, aktorët bënin prova për komedinë “Edmond”. Bënin sot, i linin nesër, i rifillonin pasnesër. Dhe prandaj më duhet, më së pari, të lavdëroj këtë shpirt sakrifice dhe dashurie të pamat të regjisorëve dhe aktorëve ndaj artit. Ishte një lojë me rrezikun. Një sfidë. Por, ama, shfaqja doli para publikut, edhe pse vonoi dy vjet. Dhe unë u heq kapelën këtyre artistëve, të gjithëve sa janë, Vasjanit dhe Lulëzimit, Helidonit, Lulit, Laertit, Xhulias, Arbenit dhe Flaurës, Myzaferit që na kumtoi se ç’është teatri, ç’është fuqia përtëritëse e tij, Gencit dhe Inës, Besmirit dhe Gentit, si dhe gjithë të tjerëve që na e sollën historinë plot hoka të ngjizjes dhe përlindjes së “Sirano de Berzherak”.

Ani pse komedia “Edmond” është një vijë paralele e personazheve të “Siranosë…” me heronjtë e njëmendët në kohën kur ajo u mpiks, vepra vetë ngjan si një histori e mëvetshme. Ja që ia vlen të mësojmë edhe rreth “historive” e veprave të mëdha të teatrit duke gërshetuar lindjen e tyre letrare me jetët dhe historitë e artistëve realizues, tanimë në një optikë të personalizuar fatesh dhe marrëdhëniesh; të mësojmë krejt aventurën e pashoqe të vënies në skenë të kësaj kryevepre me tekstin që ngjizej fletë pas flete e ditë pas dite, në ankth e në vrap e sipër, e përzier me jetën e vetë aktorëve, me tekat dhe huqet e tyre, me dashuritë dhe ambiciet, me vullnetin dhe egot, me sponsorët dhe drejtorët. Dhe pastaj ai monopat i çuditshëm krijimi i vetë Rostandit si poet, kthyer e gjitha në një gazmend lumturues. Kjo them se erdhi brenda një energjie dhe ndezullie aktoriale që na fali hare, situata komike argëtuese, karaktere, ritëm të lartë, fuqinë hipnotike të krijimit dhe të dashurisë, energji dhe dinamizëm në mizanskenë, ndonjëherë edhe përshpejtim por që nuk prishte shumë punë. S’duhet harruar edhe përkthimi i shkrimtarit të njohur, Nasi Lera.

Ti hyje në sallë dhe skenografia e Genc Shkodranit të çonte diku në teatër me stendat e dekoruara anash, sikundër edhe në një mjedis historik sa i epokës rilindëse kur komedia “Sirano…” u vu në skenë, aq dhe asaj të vonshme. Aktorët ishin vendosur të gjithë në sheshin skenik, bisedonin me njëritjetrin, lëviznin, si të na thoshin neve, spektatorëve: Jemi pjesë e historisë, por edhe pjesë e juaja, sepse jemi bashkë, o miq të teatrit, dhe duam t’ju flasim kësaj here përjashtimisht për teatrin, për një kryevepër, “Sirano de Berzherak”, e cila teksa u shfaq si premierë në vitin 1897, spektatori e duartrokiti mbi një orë, pareshtur, aq sukses pati. Ju faleminderit që erdhët!…

Aktorët rrinin në skenë si në një pikturë, duke na kujtuar kohën që kish kaluar, por edhe gati për interpretim, pra, si pjesa e gjallë e teatrit, që frymon pikërisht përmes shpirtit të aktorëve, fuqisë së transformimit të tyre psikofizik në personazhet gjegjëse. Dhe kur salla ishte gati të ndiqte aktin sipër në skenë, ja ku ia behte gjithë historia se si u shkrua vepra. E gjitha nën hirin e poezisë, por e stërpikur doemos me ngazëllimin që na japin situatat komike mes aktorëvepersonazhe, loja e tyre, gjestet, fjalët. Ata rrëfenin sa “peripecinë” e inskenimit të “Siranosë…”, aq dhe përshfaqeshin drejtpërdrejt në marrëdhëniet dhe ndodhitë e tyre. Ja që njeriu, pas shpikjes së miteve dhe fesë, magjisë dhe ritualit, fjalës dhe muzikës, valles dhe lojës, krijoi një “agorë” tjetërlloj: Teatrin. Shfaqja m’u duk shi si një “agorë” për spektatorët, me simbiozat e habitshme: përvojë-filozofi, ndjeshmërimeditim, veprim-afektim, magji-njëmendësi, narrativë-ligjërim poetik.

Lulzim Zeqja na e dha dramaturgun e ri Edmond Rostand, këtë shpirt poetik dhe vargun e tij 12-rrokësh, në ankthin e bukur e ndezullues të krijimit, sikundër qe edhe historia e lindjes së figurës letrare historike të Sirano de Berzherakut. Bri tij Helidon Fino m’u duk më pranë karakterit të komedisë me ojnat e tij jo vetëm foljore, por edhe fizike, në marrëdhënien e ndërlikuar dashurore, i paaftë për fjalë të zjarrta, por me tërësej një shpirt i ndezur. Ai që do të luante Siranonë ishte aktori me përvojë Vasian Lami, i saktë në veprimin aktorial, por mbase jo mirëfilli i formatit të komedisë. Laerti Vasili ishte aktori që më tërhoqi më shumë me Xhorxh Fejdonë, një nga rolet më mbresues, duke luajtur jo thjesht me fjalorthin e frëngjishtes (aspak si element i jashtëm a spekulativ), përkundrazi duke e bërë këtë lloj ligjërimi të vetin në krejt sjelljen e tij me shkathtësinë, me përshpejtimin e qëllimtë të së folurës, brufullimat etj. Genci Fuga ndriti me “budallallëkun” e birit të Koklenit, që nuk merrte vesh fare, i gjori, nga aktrimi, por që më pas çlirimi që pati teksa provoi seksin e bukur si mashkull i virgjër, i dha hov e vërtetësi rolit të tij. Më tej më la mbresa Myzafer Zylfia me rolin e biznesmenit zezak, që veç dinjitetit dhe shpirtit të paepur për të realizuar një synim jete, i dha patos ligjërimit të tij se çfarë është teatri dhe pse na është i domosdoshëm! Sigurisht, edhe aktorët e tjerë kishin krijuar figurat e tyre, dhe së toku krijuan një ansambël të njësuar dhe afektiv.

Në një shesh me dekore e rekuizitë të “lëvizshme”, e cila vendosej nga aktorët episod pas episodi, me pak objekte, shfaqja ruajti dinamizmin e lëvizjes dhe e energjizoi atë. Kostumet e Laedia Hajdarit na e sollën epokën e fundshekullit XIX dhe dikudiku qenë të stilizuara në dobi të ecurisë për ta sjellë subjektin ca më pranë nesh, sikurse muzika e Endri Sinës i gjegjej tonit emocional të veprës.

Dua të shpreh edhe një mbresë të fundit, tashmë jo e lidhur me komedinë “Edmond” në Teatrin Kombëtar. Unë e kam parë këtë komedi edhe në një film dhe, të them të drejtën, mbresat e mia ishin ku e ku më të bukura e më të përkryera nga imazhet filmike, interpretimi i aktorëve, sidomos i Rostandit dhe i Koklenit. Do më thonë: E ç’krahason dhe ti një film aq të suksesshëm e të njohur me një shfaqje të teatrit shqiptar, ku hapësira e veprimit ngushtohet (dhe jo vetëm). E di, dhe prandaj e përmenda. Afërmendsh filmi ishte më lart dhe më i përpunuar në shumëçka, por ama edhe shfaqja jonë “Edmond” më fali ngazëllim. E njihja subjektin, dhe pra e kisha shijuar më herët atë, prandaj dhe në konceptin regjisorial të çiftit Xhunga-Çobani receptimi im si spektator u adresua te gjetjet e regjisorëve, ritmi i lartë, trajtimi i karaktereve, aktrimi dhe artistët e tjerë realizues. Gjersa shfaqja ma dha shijen e artit, humorit, poezisë dhe ngazëllimit, domethënë se ajo shkoi përtej pëlqimit tim si kritik. Është e 20-ta shfaqje a më shumë dhe duartrokitjet e ngrohta të spektatorëve, brohoritmat e tij, qenë për mua testi i njëmendët i suksesit. Me intuitë e ndjej se kjo shfaqje do të vazhdojë më tej dhe do të falë jo thjesht kënaqësi estetike, por dhe një dashuri më shumë për teatrin; është një ngashënjim i tij në kohë rreziku e sëmundjeje, ftesë e përhershme për të qenë pranë spektatorit në artikulimet e jashtëzakonshme që jep për ta… Duke dalë prej shfaqjes, tek unë ia behu mendimi: Jemi të gjithë nga pak Sirano de Berzherak dhe Edmond, qofshim trimëror a të ndrojtur, hundëmëdhenj a fytyrështypur, me flokë a pa flokë, dashnorë të thekur pas teatrit a bukuroshë plot sqimë e parfum që thurim vargje, të gjithë vrapojmë drejt një shporte ëndrrash; jemi shpirtra poetikë, që në mbrëmje pas interpretimit në skenë mblidhemi në shtëpitë tona, me gratë, burrat, fëmijët e familjet tona, të lodhur nga shëmtia e ditës, shpinakërrusur nga hallet, nga fshikullimet e mërzive, dështimeve e mërive, e megjithatë teatri na mbledh… Dhe sa lind dielli, rishtazi marrim pak dritë nga poezia e kësaj “agore”, nga ëndrrat që teatri na kumton. Dhe rifutemi në magjinë e skenës, për të ftuar në seancat tona spirituale mijërat e spektatorëve që mbushin sallën, duke i ftuar në një dialog sa të perëndishëm aq dhe njerëzor, sa mes mugujve të trillit aq dhe në dritësimin e së vërtetës.

Këto fjalë ua kushtoj posaçërisht aktorëve të komedisë “Edmond”…