LAJMI I FUNDIT:

“Hiperrealiteti i ekraneve” si psikovampir dhe jeta e vërtetë

“Hiperrealiteti i ekraneve” si psikovampir dhe jeta e vërtetë
Ilustrim

Nga: Gëzim Tushi

Nëse shoqëria shqiptare është përfshirë në debate të forta për caktimin e rrugës së të ardhmes së saj, kjo po ndodh për shumë arsye, që gjërat e sigurta të së kaluarës që lidhen me historinë, shoqërinë, kulturën dhe traditat tona, jo vetëm po ndryshojnë por ato po marrin “kuptime të reja”.

Jemi në fazën e ndërlikimit të raporteve të njeriut me realitetin e vërtetë dhe atë virtual. Madje, duket sikur kemi hyrë në një fazë më të zhvilluar kur sikurse duket ato po zëvendësojnë njëra tjetrën.


Sociologët postmodernë kanë evidentuar prirjen e thellë, që ka të bëjë me faktin që realiteti dhe e vërteta janë zëvendësuar nga “simularka” apo nga prirja e zëvendësimit të tyre me imazhe figurative apo mediatike. Madje, deri në nivelin kur imazhet që shikojmë në televizor, kompjuter, celular “zëvendësojnë” qeniet, gjërat reale me imazhin e tyre. Tendenca që në jo pak raste bëhet edhe imponues.

Është e vërtetë që kemi hyrë në “epokën e hiperealitetit”, që dikton në shumë raste të “humbasim veten”, mjedisin, realitetin e përbashkët social, duke e bërë pothuaj të pamundur të jetojmë pa ekran, sinjale, kodet PIN. Ndihet qartë atmosfera sociale kur njeriu është përballë mureve reale dhe atyre simbolike, të ngritura nga teknologjia mediatike e digjitale, të cilat, siç thotë sociologu McLuhan, janë “bërë zgjatim për ne”. Sot shumë nga marrëdhëniet që dikur kanë qenë fizike, reale janë bërë ose virtuale, ose të realizuara përmes ndërmjetësimit të teknologjisë, duke zgjeruar fashën e vartësisë nga ndikimi dhe interferimi mediatik e digjital. Këtë dukuri sociologët e postmodernitetit e konsiderojnë një fenomen në zgjerim, i cili shfaqet në përmasat e një “shkarjeje ontologjike”, duke sjellë ndryshimin midis realitetit të vërtetë dhe imazhit mediatik apo teknologjik.

Tashmë shoqëria shqiptare është plotësisht e integruar në shinat e “shoqërisë së hiperrealitetit”, një prirje dominante e diktuar nga situata e jetës postmoderne, e cila është bërë “ushqim” për thellimin e vazhdueshëm të saj. Jetojmë në moment kur po lulëzojnë dukshëm pamje dhe module të qarta të “shoqërisë së qejfit dhe spektaklit”, kur ka një lulëzim të madh të kulturës hedonistike, zgjerimit të komunikimit digjital dhe përdorimit të zgjeruar të rrjeteve sociale.

Sociologët e Perëndimit këtë situatë e vlerësojnë seriozisht, ngaqë nën ndikimin e tyre “realiteti social po bëhet më plastik, artificial”. Njerëzit tanë i kanë kuptuar kufijtë e zgjeruar të shoqërisë liberale, individualiste e postmoderne dhe jetojnë me idenë maksimaliste, se në këtë kohë “asgjë nuk është e pamundur”. Ata po mësohen të jetojnë me “format e reja” të të qenit së pari individual dhe pastaj edhe të ndjerit si “qenie sociale”, por me dimension më të kufizuar sesa përmasat mekaniciste të epokës dhe shoqërisë tradicionale. Duhet të jesh i verbër ose konservator i pandreqshëm, të mos kuptosh dhe pranosh se në shoqërinë shqiptare, shumë gjëra të realitetit të vjetër ontologjik, mënyrave dhe moduleve të ndërtimit të lidhjeve individuale e marrëdhënieve njerëzore, po zëvendësohen gjithnjë e më shumë me kënaqësinë, “ngopjen” nga “realitetet virtuale”. Fuqia ndikuese e të cilave është bërë kaq e fortë, omnipotente saqë jo vetëm nuk shikohen si mashtrime sociale dhe iluzione individuale, por pranohen ekzistencialisht si “vlera alternative”, si kuintesencë e “virtualitetit esencial”, që është bërë dukuri edhe për shoqërinë postmoderne shqiptare.

Kjo është njëra nga arsyet e forta që si asnjëherë më parë është zgjeruar ndikimi i “agresionit të virtualitetit mbi realitetin” e vërtetë të gjërave, e cila evidentohet bindshëm te zgjerimi i ndikimit të medias masive, përdorimi pa limit hapësinor e kohor i teknologjisë digjitale, i rrjeteve sociale. Sociologët analizues të kësaj dukurie, flasin për një fenomen të ri të botës globale, të cilën ata e quajnë proces të zëvendësimit të jetës sociale, të “ontologjisë reale” nga “ontologjia virtuale”. Kaq i fortë është bërë ky ndikim në jetën sociale, në këtë shekull, saqë kjo tendencë shfaqet si një lloj “imperializmi kulturor”, i cili po i jep “formë gjithë vizionit të shoqërisë postmoderne për qenien”. Një realitet dubël që edhe shoqërisë shqiptare të kohës së sotme, po i vjen vrullshëm, me agresivitet përmes të gjithë llojeve të ekraneve që disponojmë (televizivë, kompjuterikë) dhe celularëve për përdorim personal.

Nuk mund e nuk duhet mohuar ana pozitive e ndikimit të ekraneve dhe teknologjisë digjitale, influenca materiale e tyre kulturore progresive, për informacionin që sjellin, komunikimin e akseleruar, të menjëhershëm përmes rrjeteve sociale. Por, nga ana tjetër, nuk është normale të idolatrizohet kjo epërsi e padiskutueshme, sepse në këtë raport të njeriut me “ekranin” dhe “rrjetet sociale”, në marrëdhëniet intensive dhe determinante me “virtualitetin”, po shfaqen anomali sociale, dukuri psikosociale shqetësuese, jo vetëm për staturën dhe organizimin individualisht të jetës, por dhe shoqërinë tonë si tërësi sociale.

Kjo vartësi dhe lidhje pa ekuilibrin e duhur e të domosdoshëm, po shoqërohet me disa patologjive sociale, të cilat janë realitet që i kalon kufijtë e “metaforës mjekësore”, sepse po përballemi me fenomenin masiv, të kthimit të këtyre realiteteve të përdorimit jo normal, për qëllime utilitare të ekraneve televizive dhe rrjeteve sociale, në një lloj “psikovampiri”, apo të “thithësit artificial” të energjive të të jetës së dobishme e të vërtetë. Kjo është një kundërkulturë po lulëzon e shfrenuar, dhe është gradualisht po shndërrohet në “drogë sociale” të përbashkët, që zhvillohet agresivisht nën justifikimin e “prirjeve të modernitetit”, në emër të nevojave dhe kënaqësive të njeriut hedonist për “komunikim pasiv” dhe “kënaqësi vanitoze”.

Gradualisht edhe në shoqërinë shqiptare është duke u ravijëzuar një krizë, që buron nga këto marrëdhënie të ndikimeve kontradiktore të “virtualitetit” në lidhjet njerëzore, në zhvillimin e marrëdhënieve sociale gjithnjë e më të digjitalizuara, thelbi i së cilës është “zëvendësimi i realitetit me imazhe”. Kjo është ana e “errët” e procesit të marrëdhënieve të njerëzve tanë me teknologjinë e “imazhit dhe komunikimit”, të cilin nuk duhet ta lëmë pa e observuar për pasojat në sjelljet empirike imediate e të perspektivës. Në këtë kontekst, duhet ta vlerësojmë atë edhe në aspektin e ndikimeve negative që ka mbi njerëzit, sidomos fëmijët, duke u shfaqur në jo pak raste si një proces social degradues, që shoqërohet në mënyrë dinamike me një lloj “varfërimi ontologjik” shkatërrues.

Kjo situatë po bëhet një nga shkaqet, që ka thelluar kontradiktat midis “realitetit burimor”, të “vërtetës reale” të përballura me situatat, gjendjet e transformuara mediatikisht dhe virtualisht, deri në nivelin e “ontologjisë minimale”. Ky nuk është problem i thjeshtë filozofik apo hermeneutik. Është më shumë se kaq është problem me dimension social. Pikërisht është kjo arsye thelbësore, ontologjike që sociologët e postmodernitetit, e konsiderojnë këtë situatë të “superimit” të imazhit virtual mbi realitetin e vërtetë të jetës njerëzore, mbi të gjitha iluzionin e pranimit të këtij statusi nga njerëzit, që ndihen të kënaqur në botën e imazhit virtual, tejet shqetësues. Kjo gjithashtu nuk është çështje estetike apo problem mediatik, por duhet vlerësuar si shfaqje e bujshme, serioze që po sjell “varfërim ontologjik” të jetës reale të njeriut.

Kapërcimi i njerëzve tanë, nga parapëlqimet për ontologjinë tradicionale, që mbivlerësonte jo aq virtualen por manifestimet konkrete të jetës njerëzore, në ontologjinë virtuale të shoqërisë dhe njeriut postmodern, është vërtetë një revolucion, por që ka edhe pasojat e veta. Që duhen njohur dhe normalizuar. Sepse shoqëria jonë po ecën në drejtimin e bërjes gjithnjë e më të vagullt të raporteve midis të vërtetës, realitetit nga njëra anë dhe imazhit dhe imagjinares në anën tjetër. Jemi në momentet kur shoqëria është e inonduar nga “hiperrealiteti” ose nga realiteti i kthyer në imazh. Kjo është një situatë që të iluzionon dhe mund të duket, sikur realiteti i vërtetë nuk ekziston, se ai gradualisht është duke u zëvendësuar me diçka tjetër, që është një lloj “hiperrealiteti i imazhit”, dukjes, shfaqjes.

Ky realitet është global dhe është shndërruar në atë që sociologët e konsiderojnë si “panairi i simulakrës”. Një dukuri në zgjerim, por ndërkaq e pranuar si diçka normale. Kjo shoqëri e ka në AND-në e vet, nevojën që njerëzit ta përdorin gjithçka sa më shpejt të jetë e mundur, shpesh herë në mënyrë sipërfaqësore. Shumë njerëz kanë ndjesinë e të jetuar në shoqërinë e hiperrealitetit dhe pjesën më të madhe të kohës e kalojnë në “botën e imazheve”, “njoftimeve elektronike” dhe jo në realitetin e vërtetë të gjërave. Kjo ka bërë që të rritet mundësia e pranisë së njerëzve që duke qenë të izoluar në botën e imazhit e “simulakrës”, humbasin mundësinë e “përjetimit të drejtpërdrejtë”, pa ndërmjetësimin të gjërave reale. Mbivlerësimi absolut i realitetit virtual është në përmasat e një “shkarjeje metafizike, e cila nuk duhet parë me mendjelehtësi sepse në thelb nuk është dukuri relative. Përkundrazi është më e thellë sesa duket, me përmasa serioze ekzistenciale …

Në trend Kultura

Më shumë
ASHIK QERIBI

ASHIK QERIBI

Fjala+
Kush e hartoi alfabetin e gjuhës shqipe?

Kush e hartoi alfabetin e gjuhës shqipe?

Kulture
Historia e shqiponjës dykrenëshe, flamurit kuqezi dhe himnit shqiptar

Historia e shqiponjës dykrenëshe, flamurit kuqezi dhe himnit shqiptar

Kulture
145

145

Poezi
Art me letër

Art me letër

Kulture
REFLEKTIME

REFLEKTIME

Poezi
Kalo në kategori