Më 25 Maj, në mbarë botën shënohet Dita Botërore e Tiroides me qëllim të ndërgjegjësimit të opinionit, për rëndësinë e kësaj gjëndre endokrine për trupin dhe jetë tonë!

Ass.dr.Merita Emini Sadiku, Mr.Sci, Dr.Sci
Interniste-endokrinologe
Poliklinika “endoCLINIC”
Tel:044 660 900

Më tutje do të keni mundësinë të mësoni më shumë për Hipertireozën, shkaqet, simptomat, shenjat, diagnostikimin dhe trajtimin.

Gjëndra tiroide është një gjëndër endokrine në formë future e vendosur ne pjesën e poshtme të përparme të qafës. Funksioni i saj është prodhimi i hormoneve T4 dhe T3 të cilat rregullojnë shfrytëzimin e energjisë dhe depozitimin e saj për nevoja të trupit e njohur ndryshe metabolizmi i trupit.

Kjo gjëndër merr sinjale kontrolli nga një gjëndër tjetër e vendosur në tru e njohur me emrin Hipofizë e cila prodhon përveç hormoneve tjera stimuluese për gjëndra të ndryshme në organizëm edhe TSH apo hormonin stimulues të tiroides.

Çka është hipertiroidizmi?

Në këtë gjendje gjëndra tiroide prodhon shumë hormone dhe si pasojë metabolizmi i trupit rritet duke dhënë simptoma të ndryshme.

Cilat janë shkaqet e hipertiroidizmit?

Sëmundja e Graves-it (ose ndryshe Basedow) e cila shkaktohet kur organizmi i këtyre personave prodhon antitrupa që stimulojnë gjëndrën të prodhoj më shumë hormone se normalisht. Mund të shfaqet në çfarëdo moshe por më shpesh ne mes 20-40 vjeç.

Në këtë sëmundje nëse nuk trajtohet menjëherë, gjëndra tiroide mund të rritet e njohur ndryshe në popull si Gushë, e cila është difuze apo e njëtrajtshme dhe nga e cila sekretohet sasi e tepruar e hormoneve të tiroides duke dhënë simptoma dhe shenja të veçanta.

Disa pacientë me këtë sëmundje mund të zhvillojnë të ashtuquajturën oftalmopati ose orbiopati apo zmadhim të dy syve ose njërit, të cilët shoqërohen me tharje, irritim, skuqje të syve si dhe shikim të dyfishtë. Kjo sëmundje mund të avancojë edhe deri në inflamim të nervave të syve (optic) që mund të rezultojë në humbje të shikimit.

Cilët janë shkaktarët tjerë?

Shkaqe tjera mund të numërohen edhe: një ose disa noduj në tiroide të cilët mund të prodhojnë hormone më shumë në krahasim me pjesën tjetër të tiroides, të cilat quhen noduj të nxehtë ose toksike njohur ndryshe edhe si Adenom toksike.

Tiroiditi i padhimbshëm ose “i qetë” dhe tiroiditi postpartal disa muaj pas lindjes, gjendje në të cilat prodhohen më shumë hormone të tiroides duke dhëno klinikën e hipertirodizmit.

Tiroiditi postpartal mund të zgjasë disa muaj duke u përcjellë më pas me shenja të hipotireozës si lodhje, krampe muskulare, fryerje/problem me treteje të ushqimit dhe shtim në peshë.

Tiroiditi granulomatoz ose subakut mendohet se mund të shkaktohet nga infeksionet virale duke dhënë dhimbje në vendin ku gjendet gjëndra, fortësim të saj dhe rritje.

Nga inflamimi dhe shkatërrimi i disa qelizave tiroicite hormone dalin në gjak duke dhënë shenjat e hipertioidizmit të cilat shenja largohen pas trajtimit dhe kalimit të infeksionit por që mund të pasohen pas disa muajve me shenja të hipotireozës.

Marrja në mënyrë të gabueshme e hormoneve të tiroides për hipotireoze mund të jep shenja të hipertiroidizmit të cilat kalojnë pas zvogëlimit te dozave trajtuese (levotiroksinës ose Letrox, Euthyrox).

Cilat janë simptomat dhe shenjat e hipertiroidizmit?

Pacientët me hipertireozë zhvillojnë sëmundjen fillimisht në formë të pavërejtur por që shpejt mund të bëhet e dukshme. Manifestohen me iritim, anksiozitet, humbje të peshës, lodhje, ploështi, çrregullime të gjumit, dridhje të duarve, djersitje, flokë të yndyrosura, rritje të pulsit, ndjenjën e nxehtësisë, lëvizje më të mëdha të zorrëve që mund të çojë ndonjëherë edhe drejt diarreve, tek gratë çrregullime menstruale ose ndërprerje të tyre që mund të shoqërohet me pamundësi të mbetjes shtatzënë (infertilitet).Pas trajtimit të gjitha këtë shenja mund të kalojnë.

Si diagnostikohet kjo sëmundje?

Përveç klinikës kjo gjendje mund të diagnostikohet nga analiza e gjakut ku TSH është e ultë dhe T3, T4 të larta. Pastaj gjetjet nga ultrazëri I gjëndrës tiroide, scintigrafia e saj. Por jo të gjitha këtë ekzaminime janë të domosdoshme. Mjaftojnë ndonjëherë për fillimin e shpejtë të trajtimit vetëm shenjat klinike dhe analizat laboratorike dhe me pas ekzaminimet tjera.

Si trajtohet hipertiroidizmi?

Janë disa forma të trajtimit të kësaj sëmundje:

Trajtimi me barna-barnat antitiroidiene dhe barnat beta bllokatorë.

Barnat antitiroidiene njihen me emrat metimazoli (Favistan) dhe propiltioracili të cilat veprojnë duke i ulur prodhimin e këtyre hormoneve.

Pasi metimazoli mund të shoqërohet me defekte të lindjes për gratë shtatzëna sidomos në tremujorin e parë rekomandohet të përdoret propiltiouracili, më pas rekomandohet të përdoret më metimazoli në semestrin e dytë dhe të tretë të shtatzënisë.

Remisioni apo shërimi me barna mund të arrihet pas 18-24 muajve por në një pjese të pacientëve mund të kërkojë më gjatë trajtimi.

Trajtimi me këto barna duhet të bëhet nën kontrollin e endokrinologut për të parandaluar efektet anësore të tyre të cilat nganjëherë mund të jenë shumë serioze: ulje e tepërt e qeliza të bardha të gjakut ose agranulocitoza si dhe dëmtimet në mëlçi.

Kontrollet fillimisht duhet të bëhen çdo 4-6 javë tek endokrinologu.

Barnat beta bllokatorë-si atenololi ose propranololi të cilat trajtojnë simptomat dhe shenjat si: të rrahurat e shpejta të zemrës, dridhjen e duarve, anksiozitetin dhe intolerance ndaj të nxehtit.

Jodi radioaktiv- kjo terapi i shkatërron qelizat e tiroides duke bërë trajtimin e qëndrueshëm të hipertiroidizmit. Pas trajtimit kalohet në gjendje të hipotireozës për të cilën duhet marrë barna me levitiroksinë (Letrox, Euthyrox) gjatë tërë jetës. Pacientët të cilët trajtohen me radiojod duhet të izolohen nga fëmijët dhe gratë shtatzëna për një periudhë 5-7 ditore për shkak të ekspozimit nga rrezatimi.

Kirurgjia-rekomandohet atëherë kur kemi të bëjmë me gusha të mëdha të cilat i japin probleme në frymëmarrje dhe gëlltitje pacientit, kur nuk tolerohen mire barnat dhe kur nuk donë pacientët të marrin radiojod terapi, kur ka dyshim që nodusi mund të jetë kancer dhe kur problemet me sy në Basedow janë shumë të theksuara. Pas kirurgjisë, kontrollet duhet të jetë të rregullta te endokrinologu. /Telegrafi/