Haziri për konstituimin e Kuvendit: Një hap para, dy prapa – agjenda të fshehura në veprim
Deputeti i LDK-së, Lutfi Haziri ka reaguar ndaj mënyrës se si është zhvilluar procesi i konstituimit të Kuvendit të Kosovës, duke e cilësuar atë si një proces me hapa të paqëndrueshëm politik.
Në një postim në rrjetet sociale, Haziri ka kritikuar ndarjen e zgjedhjes së nënkryetarëve të Kuvendit, duke e quajtur këtë veprim si një regres politik.
“Kur të gjithë besonin që me zgjedhjen e Kryetarit dhe Nënkryetarëve të shumicës politike e etnike, u bë një hap para, ndodhi veprimi. Ndarja e zgjedhjes së Nënkryetarëve të pakicave dhe dy hapa prapa. Asgjë e re,” ka shkruar ai.
Ai ka theksuar se në vend të përparimit, procesi është karakterizuar nga një politikë e mungesës së kohezionit dhe bashkëpunimit institucional, duke shtuar se një agjendë e fshehur politike është duke u ndjekur.
“Më rëndësi që agjenda e fshehur po ecën,” shton Haziri.
Sipas tij, bashkëpunimi institucional nuk është çështje vullneti, por obligim kushtetues.
“Këta s’e kuptojmë ose nuk duan ta kuptojnë frymën e Kushtetutës që bashkëpunimi është obligativ e jo vullnet. Pragmatizmi politik e kompromisi janë vlera në politikë e jo dobësi”, ka shkruar Haziri.
Ish-kryetari i Gjilanit gjithashtu është ndalur edhe te të drejtat e komuniteteve joshumicë në Kosovë, duke theksuar rëndësinë e mekanizmave kushtetues për garantimin e tyre.
“Sa i përket të drejtave për komunitetet pakicë në Kosovë, edhe vetë jam bindur tash se pse miqtë ndërkombëtarë na kërkonin që t’i bënim e garantonim vetëm me mekanizma kushtetues Republika, mbi të gjitha!”, u shpreh Haziri. /Telegrafi/






























