LAJMI I FUNDIT:

Hazir Reka, 25 vite, 25 foto dhe historia e lirisë

Hazir Reka, 25 vite, 25 foto dhe historia e lirisë

Të hënën, më 10 qershor, në ora 20:00, në sheshin e Prishtinës, hapet ekspozita “25X25”, e fotografit të mirënjohur Hazir Reka.

Fotoreporteri i agjencisë prestigjioze Reuters, i cili për tri dekada ka përcjellë dhe dokumentuar ngjarjet që kanë shënuar zhvillimet më të mëdha të historisë së fundit të Kosovës, do të hap një ekspozitë të veçantë që shënon vitet e ndryshimeve të mëdha, përmes një hapësire të vogël të Prishtinës.

“Zgjodha ‘25X25’: 25 foto, 25 vjet në shesh. Kjo është një simbolikë, sepse sheshi është i vogël të ekspozohen të gjitha fotot e fondit tim, të cilat i kam bërë në këtë shesh për këto vite. Por, besoj se 25 fotografi të përzgjedhura janë një tregim i mire i këtyre ngjarjeve, përmes këtij sheshi. Në këtë shesh ndodhën shumë demonstrata, protesta, por edhe festa. Shpresoj se me 10 qershor, në hapje të ekspozitës, do të takohem me shumë personazhe të këtyre ngjarjeve”, ka thënë Reka për Telegrafin.


Fotografitë e Hazir Rekës – i cili ndër të tjera është cilësuar si “Konti i Fotografisë Shqiptare” – të realizuara në Kosovë dhe më gjerë, janë botuar në revistat dhe gazetat më prestigjioze botërore. Disa nga to janë bërë pikërisht në këtë shesh.

Për ta njohur shkurtimisht “Syrin (magjik) të Hazir Rekës”, klikoni këtu. /Telegrafi/