Ish-ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka kritikuar Qeverinë Hoti për menaxhimin e pandemisë COVID-19.

Haxhiu ka thënë se nuk po shihet as angazhimi më i vogël i Qeverisë në menaxhimin e situatës, ndërkohë Kosova para pak kohësh renditej ndër vendet me menaxhimin më të mirë të pandemisë, transmeton Telegrafi.

“Vetëm sot, 6 qytetarë humbën jetën nga virusi COVID 19 dhe shumë qytetarë po luftojnë për jetën. Situata çdo ditë e më shumë po rëndohet. Përveç punës së palodhshme të mjekëve dhe infermierëve, fatkeqësisht nuk po shohim as angazhimin më të vogël nga Qeveria në menaxhimin e situatës aktuale. Kosova para pak kohësh renditej ndër vendet me menaxhimin më të mirë ndërsa sot kjo qeveri me mosveprim ia ka kthyer shpinën qytetarëve dhe Kosova renditet ndër vendet me numrin më të madh të qytetarëve të infektuar”, ka thënë Haxhiu në një shkrim në Facebook.

Më tej, Haxhiu ka kërkuar nga qytetarët që të respektojnë masat mbrojtëse ndaj COVID-19.

“Të dashur qytetarë, për hirë të atyre që po bëjnë të pamundurën për të shpëtuar jetët e njerëzve pra stafit mjekësor, le të kemi kujdesin maksimal. Le të mbajmë maska dhe kudo ku jemi le të respektojmë distancën. Kjo është një gjë e vogël që mund ta bëjmë por për stafin mjekësor është gjithçka”.

Ndryshe, bazuar në të dhënat e fundit, numri i të vdekurve në Kosovë nga sëmundja COVID-19, që e shkakton coronavirusi i ri, arrin në 64.

Ndërkaq, sipas të dhënave të publikuara nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike, deri të premten, në Kosovë janë regjistruar 3,178 raste me coronavirus. Prej tyre, 1,824 janë shëruar.
IKSHPK ka kërkuar nga qytetarët që të respektojnë masat mbrojtëse ndaj virusit COVID-19.

“Vazhdoni të mbani distancën fizike dhe maskat. Lani duart me kujdes disa herë në ditë nga 20-30 sekonda. Lehtësimi i masave është bërë për të na bërë më të përgjegjshëm! Ju lutem të keni kujdes, sepse akoma ekziston rrezik i përhapjes në vendet ku ka grumbullim të madh të njerëzve”. /Telegrafi/