Përfaqësuesit e platformës qytetare “Liria ka Emër”, Eliza Hoxha dhe Ismail Tasholli, u pritën sot nga kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu.

Në takim u diskutua për marshin qytetar “Drejtësi, jo politikë”, i cili do të mbahet nesër në Prishtinë në mbrojtje të çlirimtarëve Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi dhe shokëve të tyre që po gjykohen në Hagë. Diskutimi u fokusua gjithashtu tek rëndësia e një mobilizimi dinjitoz në këtë moment vendimtar të procesit.


Eliza Hoxha theksoi se marshimi është shprehje e ndërgjegjes qytetare dhe e unitetit përtej dallimeve politike:

“Ky marsh është zë i qytetarëve për drejtësi dhe dinjitet. Është moment kur shoqëria jonë tregon se di të bashkohet për çështje që e tejkalojnë politikën”, tha ajo.

Ndërsa Ismail Tasholli nënvizoi rëndësinë e pjesëmarrjes masive.

“Nesër, Prishtina do të jetë zëri i qytetarëve që kërkojnë drejtësi të paanshme dhe mbrojtje të vlerave të luftës çlirimtare", u shpreh Tasholli.

Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, vlerësoi angazhimin e platformës dhe rëndësinë e mobilizimit qytetar.

“Ju përgëzoj për angazhimin dhe mobilizimin qytetar. Do të jetë një marsh madhështor, sepse kur bëhet fjalë për vlerat e luftës çlirimtare, UÇK-ja na bashkon të gjithëve", tha Haxhiu.

Platforma “Liria ka Emër” falënderoi Kryetaren e Kuvendit për pritjen dhe ritheksoi thirrjen që qytetarët të bashkohen nesër në marshin “Drejtësi, jo politikë” në Prishtinë. /Telegrafi/