Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) po përballet me akuza për ndryshime të njëanshme në metodologjinë e rinumërimit të votave, që sipas ish-deputetit të PDK-së, Bekim Haxhiu kanë cenuar besimin e qytetarëve dhe kandidatëve në integritetin e procesit zgjedhor.

Haxhiu ka reaguar ndaj vendimeve të KQZ-së, duke thënë se po shndërrohet në palë aktive në deformimin e procesit zgjedhor


“KQZ, në vend që të mbrojë integritetin e votës, po ndryshon rregullat gjatë rinumërimit, duke u shndërruar nga arbitër i paanshëm në palë aktive në deformimin e procesit zgjedhor”, ka shkruar Haxhiu.

Ai shton se ndryshimi i metodologjisë nga rendi sipas komunave dhe vendvotimeve në një proces të fragmentuar ka prodhuar një devijim të qartë të trendit të rezultateve.

“Ky ndryshim arbitrar ka dëmtuar rëndë besimin e kandidatëve dhe qytetarëve. Kur rinumërimi ndërpritet pa kriter, vazhdohet me komuna të tjera dhe humbet gjurmueshmëria e vendvotimeve, procesi bëhet i pabesueshëm”, tha Haxhiu.

Haxhiu kërkon rikthimin e menjëhershëm të rinumërimit sipas rendit të komunave dhe transparencë të plotë.

“Çdo votë e cenuar është një goditje ndaj demokracisë. Prokuroria duhet të nisë menjëherë hetimet për të gjitha vendimet dhe veprimet që kanë cenuar integritetin e procesit zgjedhor, duke filluar nga kreu i KQZ-së e deri te çdo individ që ka pasur guximin të shkelë ligjin, të deformojë procesin zgjedhor dhe të manipulojë vullnetin e qytetarëve”, ka shkruar Haxhiu. /Telegrafi/