LAJMI I FUNDIT:

Hasani: Qeveritë kanë heshtur për masakrën e burgut të Dubravës, Kuvendi të ndërmarr veprime për ngritjen e aktakuzës ndaj atyre që kryen masakrën

Hasani: Qeveritë kanë heshtur për masakrën e burgut të Dubravës, Kuvendi të ndërmarr veprime për ngritjen e aktakuzës ndaj atyre që kryen masakrën

Kuvendi i Kosovës ka nisur seancën me një minutë heshtje në nderim të të rënëve të 20 vjetorit të masakrës së kryer nga shteti serb në Burgun e Dubravës. Deputeti i PDK-së, Nait Hasani i cili i ka mbijetuar masakrës së Dubravës, në këtë seancë ka rrëfyer përjetimin e tij gjatë asaj kohe në këtë burg.

Ai ka thënë se qëllimi i masakrës në burgun e Dubravës ishte e planifikuar nga udhëheqja shtetërore e Serbisë.

“Ne mendojmë se qëllimi i masakrës ka qenë i planifikuar që nga udhëheqja shtetërore e Serbisë deri tek gardianët e burgut. Këtë e dëshmon sjellja e të burgosurve nga të gjitha burgjet e Kosovës duke na zënë robër. Kjo mbledhje e të burgosurve shqiptar kishte vetëm një qëllim që të vriteshin të burgosurit dhe të dërgoheshin në Serbi. Pikërisht në këtë datë para 20 viteve u filluar bombardimi i NATO-së në burg ku u vranë 20 të burgosur. Fillimi i bombardimeve ka qenë i ditur nga serbët dhe ne do të ishim viktimat e kësaj loje kriminale. Ajo që ka ndodhur ato ditë nuk ka mundësi as ta imagjinoj, por kjo masakrë u bë ashtu siç ishte planifikuar që të vriteshin të burgosurit dhe fajtor të ishte NATO. Atë që se bëri NATO e realizoj shteti serb më 22 maj të atij viti”, ka thënë ai.


Hasani ka thënë se për këtë masakër është bërë kallëzim me 19 janar të vitit 2007.

“Shoqata e të burgosurve ka bërë kallëzim penal në Prokurorinë e Pejës më 19 janar të vitit 2007, dhe asnjë veprim s’është marr që nga ajo kohë deri më sot. Nuk mund të kalohet kjo masakër pa e ditur ku është Ukshin Hoti. Të gjithë e dimë që profesorin e kanë marrë dhe përgjegjës për këtë është drejtori i burgut me komandantin. Këta e din se ku është Ukshin Hoti, pas daljes nga burgu me 16 maj 1999. Këta kriminel sot shëtitin në Serbi, dhe kanë marr pozita në burgje në Serbi”, është shprehur ai.

Ndër të tjera, ai ka thënë se të gjithë kanë heshtur për këtë masakër.

“Asnjë Qeveri e jona nuk ka qarë kokën për këtë masakër. Kanë heshtur tek ndërkombëtarët për këtë masakër. Po ashtu askush nuk ka pyetur për kallëzimin që e kemi bërë në prokurori. Kërkoj nga Ministri i Drejtësisë të jap shpejgime përse është heshtu kallëzimi penal i bërë në Prokurorinë e Pejës. Cili ka qenë qëllimi që për këtë kallëzim penal nuk është ngritur aktakuzë. Edhe Prokurorisë së Kosovës, UNMIKU-ut, edhe EULEX-it, iu është dashur që të heshtet ky krim sepse këto tri institucione janë të lidhura direkt apo indirekt me Serbinë. Në fund kam një rekomandim nga Kuvendi që pas këtij debati Kuvendi të ndërmarr veprime të ngritet aktakuzë për kriminelët që bënë këtë masakër”, ka thënë ai.

20 vjet më parë, brenda burgut janë vrarë 160 të burgosur shqiptarë dhe janë plagosur më shumë se 300 të tjerë. Masakra e Burgut të Dubravës është kryer prej 19 deri më 24 maj të vitit 1999./Telegrafi/