LAJMI I FUNDIT:

Haradinaj tregon disa përparësi me Ligjin e ri të zgjedhjeve: Diaspora voton në ambasada, hiqet heshtja zgjedhore

Haradinaj tregon disa përparësi me Ligjin e ri të zgjedhjeve: Diaspora voton në ambasada, hiqet heshtja zgjedhore

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj ka mirëpritur votimin e sotëm të Ligjit për zgjedhjet nacionale në Kosovë.

“Votimi me koncensus nga të gjitha partitë politike i Ligjit për zgjedhjet nacionale në Kosovë, është një lajm i mrekullueshëm”, ka shkruar fillimisht Haradinaj.

Ai thotë se ky ligj pavarësisht që nuk paraqet një reformë thelbësore të sistemit zgjedhor, adreson disa shqetësime serioze.


Sipas të parit të AAK-së, Ligji e lehtëson në masë të madhe votimin e bashkëkombësve tanë në diasporë, duke e mundësuar votimin fizik në përfaqësi diplomatike si dhe votimin me postë.

BE-ja mirëpret miratimin e Ligjit të ri për Zgjedhjet e Përgjithshme në Kosovë: U përfshinë rekomandimet tona
Lexo po ashtu BE-ja mirëpret miratimin e Ligjit të ri për Zgjedhjet e Përgjithshme në Kosovë: U përfshinë rekomandimet tona

“Ai e lehtëson në masë të madhe votimin e bashkëkombësve tanë në diasporë, duke e mundësuar votimin fizik në përfaqësi diplomatike si dhe votimin me postë, garanton numërim transparent e të mbikqyrur të votave për kandidatë, shkurton kohën e numërimit për parti politike, heqë heshtjen zgjedhore që ishte shndërruar në kurth për ndëshkimin e subjekteve zgjedhore, inkurajon partitë politike që të kandidojnë më shumë gra, si dhe disa ndryshime të tjera që kanë ndikim të drejtpërdrejtë në cilësinë e zgjedhjeve në Kosovë!”.

Haradinaj është shprehur i lumtur që përfaqësuesit e AAK-së dhanë kontribut në hartimin dhe arritjen e koncensusit për votimin e tij.

“Jam shumë i lumtur që edhe përfaqësuesit e Aleancës, kanë dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm, jo vetëm në hartimin e këtij Ligji, por edhe në arritjen e konsensusit politik i cili ka reflektuar edhe në votimin e sotëm në Parlament”, ka deklaruar tutje Haradinaj./Telegrafi/