LAJMI I FUNDIT:

Haradinaj: AAK nuk do ta votojë buxhetin për vitin 2023, për herë të parë është më i vogël në krahasim me vitin paraprak

Haradinaj: AAK nuk do ta votojë buxhetin për vitin 2023, për herë të parë është më i vogël në krahasim me vitin paraprak

Kuvendi i Kosovës pritet që të votojë në lexim të parë projektligji për buxhetin e Kosovës për vitin 2023.

Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka thënë se për herë të parë në historinë e Kosovës, do të votohet një buxhet më i vogël në krahasim me vitin paraprak.

“Buxheti i paraparë në kufijtë e shpenzimeve 3 miliardë e 212 milionë euro, nominalisht 10.8% më i madh sesa ai i vitit 2022, në fakt është për një të katërtën më i vogël. Nëse shumës së paraparë, ia zbresim 20% inflacion (sipas Bankës Botërore) dhe inflacionin prej 4.3% që qeveria e ka paraparë për vitin 2023, atëherë vlera reale e buxhetit bie në 2.5 miliardë, e që është 400 milionë euro më i vogël sesa buxheti i vitit 2022”, ka thënë Haradinaj.

Ish-kryeministri thekson se qytetarët që marrin paga nga shteti, shërbyes civilë, pensionistë dhe të gjitha kategoritë e tjera, do të jenë për 25% më të varfër krahasuar me 2022, pasi shton se me pagat e tyre do të blejnë 25% më pak mallra të konsumit.

“Me këtë buxhet, do të mbeten mangu një e katërta e investimeve kapitale, ndërsa vet projeksioni i të hyrave, është bërë pa asnjë logjikë financiare. Të hyrat nga tatimi i korporatave apo tatimi në fitim parashihet të shtohet 41%, të hyrat nga tatimi në të ardhura personale parashihet të rritet 24%, ndërsa rritja e pagave realizohet në vlerën 11%. Pra, më shumë taksa për qeverinë, e më pak para për popullin”, shtoi ai.

Sipas Haradinajt, qesharake është edhe projeksioni i të hyrave doganore dhe të atyre të akcizës, që parashihen të rriten 3.4%, përkatësisht 4.5%.

“Ndërkohë që rritja e çmimeve të importit parashihet në 8.5%. Duhet të kesh mbaruar katër vjet shkollë fillore, për të kuptuar se qeveria Kurti ka probleme serioze me operacionet e thjeshta matematikore”.

“Avazi i njëjtë është edhe tek struktura e shpenzimeve. Derisa janë 5800 vende të lira pune, e qeveria nuk po i punëson qytetarët, ata kanë planifikuar vetëm 1400 punësime për vitin 2023 dhe një rritje të fondit të pagave në vlerë 75 milionë. Në këto shifra, ne nuk shohim as rritjen nominale të pagave, pra, po vazhdon varfërimi i qytetarëve”, u shpreh kreu i AAK-së.

Tutje Haradinaj thotë se dështimi më i tmerrshëm ndonjëherë, i ndonjë qeverie në Kosovë, është dështimi i Qeverisë Kurti në investimet kapitale.

“Shuma e paraparë për investime kapitale, që kap shifrën 810 milionë, është në masë 90% vetëm bartje nga mosrealizimi i investimeve nga viti 2021 (rreth 200 milionë) dhe nga viti 2022 (rreth 500 milionë)”.

“Është një pikëpyetje e madhe se si kjo qeveri e dështimit dhe mashtrimit, po e llogarit rritjen ekonomike të vitit 2023. Derisa vëllimi i investimeve private ka stagnuar, ndërsa investimet publike nuk janë realizuar as 21%, për çfarë rritje ekonomike po flet qeveria”./Telegrafi/