LAJMI I FUNDIT:

Haradinaj për gjeneralin amerikan, që u shpall “Qytetar Nderi” i Deçanit: Te shqiptari miku përherë do ta ketë vendin e nderit

Haradinaj për gjeneralin amerikan, që u shpall “Qytetar Nderi” i Deçanit: Te shqiptari miku përherë do ta ketë vendin e nderit

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, tha se vendimi për ta shpallur gjeneralin amerikan John C. Boyd, “Qytetar Nderi”, është një vendim i qëlluar dhe fisnik i Komunës së Deçanit.

“Te shqiptari i kësaj treve të Dukagjinit miku është shumë i çmuar dhe është ndër kodet që asnjëherë nuk ka ndodhur të lëndohet, pra kodi i nderit, i respektit që i bëhet mikut. Është mirë që i ruajmë më tutje, por po ashtu është mirë që të mendojmë si t’i ruajmë në kohëra të reja, kur bota po bëhet më e vogël dhe më e lidhur. Sot ne i kemi dhënë një nder një ushtari, në radhë të parë, dhe e kemi bërë bashkëqytetarë. Këtë veprim të sotëm duhet ta mbajmë gjallë e në jetë siç na ka hije si shqiptarë dhe siç na obligon nderi i gjeneralit dhe nderi i Amerikës”, kështu tha kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, në ceremoninë e shpalljes “Qytetar Nderi i Deçanit”, të gjeneral brigade John C. Boyd, shef i stafit të KFOR-it.


Vendimi për shpalljen “Qytetarë Nderi i Deçanit”, për John Boyd, gjeneralin e brigadës së ushtrisë së SHBA-së, Komuna e Deçanit e ka marrë për të nderuar kontributin e dhënë për lirinë e Kosovës, mbështetjen dhe fuqizimin e shtetësisë së saj dhe për përkrahjen e Kosovës në integrimet euroatlantike.

Duke vlerësuar këtë si një ditë të rëndësishme për Deçanin, kryeministri Haradinaj tha se ka ditë që Deçani duket shumë i bukur.

“Kjo është një ndër ditët më të mira të Deçanit, një ditë ku rrezon dielli siç i ka hije në vendin tonë, një diell që buron nga zemrat e njerëzve të kësaj toke të Deçanit, që janë më të mirë të mundshëm, një diell që rrëzon kaq mirë sepse lidhet me një veprim kaq të mençur të njerëzve të zgjedhur dhe të qytetarëve të Deçanit”, tha kryeministri Haradinaj, duke shtuar se Deçani ka histori parlamentare dhe njëkohësisht ka histori të vlerave të largëta të nderit, që i ruan me besnikëri.

Haradinaj tha se Komuna e Deçanit ka bërë një vepër fisnike duke shpallë qytetarë nderi një ushtar të mirë, gjeneralbrigade John Boyd, një ushtar i Amerikës, i cili në emër të vendit të vet shërben për paqe në Kosovë, dhe njëkohësisht e ka uruar gjeneralin Boyd për nderin që ka marrë nga populli i Deçanit, nga të zgjedhurit pa dallim partie.

Më tej, kryeministri Haradinaj tha se është thellë i bindur se do ta japin provimin si popull, duke punuar të gjithë për një miqësi të përjetshme Kosovë-Amerikë, duke theksuar se mënyra më e mirë për ta shpërblyer përkrahjen e madhe që i ka dhënë Amerika Kosovës, është qeverisja e mirë në Kosovë, krijimi i vendeve të punës dhe respekti për komunitetet etnike që jetojnë në Kosovë.

“Jam i bindur se nuk do t’i zhgënjejmë miqtë tanë me punët që do t’i kryejmë në Kosovë, duke respektuar vetën, ata që jetojnë me ne, e po ashtu do të dimë t’i respektojmë edhe fqinjët, sepse jemi popull që dimë të respektojmë. Ka një gjë që nuk e fshehim. Populli i Kosovës ka vendosur se kush është. Jemi Kosovë, jemi pjesë e botës të prirë nga Amerika, jemi pjesë e këtyre vlerave dhe për ne jeta përpara është një jetë e një lidhje më të madhe të ndërsjellë”, tha kryeministri Haradinaj.

Ndërsa në një postim në Facebook, Haradinaj ka shkruar se “Te shqiptari miku përherë do ta ketë vendin e nderit. Komuna e Deçanit ka bërë një vepër fisnike duke shpallë “Qytetar Nderi” një ushtar të mirë, gjeneralbrigade John C. Boyd. Një ushtar i Amerikës, i cili në emër të vendit të vet shërben për paqe në Kosovë. Nga sot Gjenerali Boyd është njëri nga ne. Zoti e bekoftë Kosovën, Amerikën dhe dy popujt tanë”. /Telegrafi/