Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj ka kujtuar 35-vjetorin e miratimit të Kushtetutës së Kaçanikut, duke e cilësuar atë si një akt historik që vendosi themelet e shkëputjes së Kosovës nga Serbia dhe Jugosllavia.

Haradinaj u shpreh se miratimi i kësaj Kushtetute më 7 shtator 1990 në Kaçanik ishte një moment kyç në historinë moderne të Kosovës.


“Më 7 shtator 1990, në Kaçanik, delegatët e Kuvendit të Kosovës aprovuan Kushtetutën e Kosovës, aktin historik që vendosi themelet e shkëputjes së Kosovës nga Serbia dhe Jugosllavia e atëhershme, të njohur si Kushtetuta e Kaçanikut,” shkroi Haradinaj.

Ai theksoi guximin dhe vizionin e delegatëve të asaj kohe të cilët vepruan në kushte të rënda politike dhe represive, por që megjithatë i dhanë zë aspiratave shekullore të popullit shqiptar për liri dhe shtetësi.

“Me nderimin më të lartë kujtojmë delegatët e asaj kohe, të cilët në rrethana të vështira, me guxim dhe vizion, përfaqësuan aspiratën e kahmotshme të popullit shqiptar për liri dhe vendosën themelet e shtetësisë e pavarësisë së Kosovës,” theksoi ai.

Në përfundim të mesazhit të tij, Haradinaj shprehu mirënjohje të përjetshme për kontributin e delegatëve që e bënë të mundur këtë akt historik.

“Mirënjohje e përjetshme për kontributin e tyre të pamohueshëm!”. /Telegrafi/