LAJMI I FUNDIT:

Haradinaj nga Austria: Diaspora është vlerë e pakontestueshme e jona!

Haradinaj nga Austria: Diaspora është vlerë e pakontestueshme e jona!

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj ka vazhduar edhe sot vizitën në Austri.

Haradinaj ka takuar Kryesinë e Degës së AAK-së në qytetin Graz të Austrisë.


“Në kuadër të vizitës sime në Austri, takova kryesinë e Degës së AAK-së në qytetin e Graz-it, e udhëhequr nga Hysen Krasniqi. Kënaqësi e veçante ishte vizita tek bizneset që janë në pronësi të bashkatdhetarëve tanë, ku përjetova nga afër suksesin e tyre”, ka shkruar Haradinaj në llogarinë e tij në Facebook.

Haradinaj ka thënë se ka takuar personalitete të shquara nga shoqata shqiptare në Austri.

“Në takim me bashkatdhetarët tanë, ku isha i shoqëruar nga kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi, koordinatorja e Aleancës për Diasporën, Time Kadrijaj dhe koordinatori i AAK-së për Austri, Miftar Kastrati e shumë miq e kolegë të tjerë, pata rastin të takoj personalitete të shquara nga shoqatat shqiptare, arkitektë, studentë, ekonomistë e afaristë të shumtë, me të cilët patëm bashkëbisedim të sinqertë”, është shprehur Haradinaj.

I pari i AAK-së ka thënë se themelet e shtetit të Kosovës janë vënë edhe me punë e përkushtim të mërgatës shqiptare.

“Themelet e shtetit të Kosovës janë vënë edhe me punë e përkushtim të mërgatës shqiptare. Bashkë, siç kemi qenë edhe në kohërat më të vështira, do të jemi edhe në punët që na presin!”, ka përfunduar Haradinaj. /Telegrafi/