Pas dështimit të Albulena Haxhiut dhe Donika Gërvallës për t’u zgjedhur kryeparlamentare në seancën e parë konstituive pas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka deklaruar se Lëvizja Vetëvendosje mund ta zhbllokojë procesin e konstituimit të Kuvendit.

Sipas tij, Vetëvendosje ka numrat e mjaftueshëm për të zgjedhur kryetarin e Kuvendit, duke marrë edhe mbështetjen e AAK-së.


“LVV-ja i ka votat për kryetar Kuvendi. Sepse ne që kemi 5 vota të sigurta, plus ndonjë tjetër, sot do të votonim ndoshta për 20 prej kandidaturave të LVV-së. Pra i ka votat. VV-ja nuk i ka votat për qeveri, sepse për qeveri nuk votojmë, për Kurtin III jo”, tha Haradinaj në emisionin Debat Plus.

Ai shtoi se, sipas vlerësimit të Aleancës, rreth 20 deputetë të LVV-së do të mund të merrnin votën e AAK-së për kryetarin e Kuvendit.

“Kurti po do me shku në zgjedhje, por pa ardh në peshore. Nuk po don me u pa, duke mos i pas votat për ta bërë qeverinë. Ky është realiteti. Në bindjen tonë si Aleancë janë rreth 20 njerëz të VV-së që ua qesim votën. Pra Kurti e ka votën për kryetar Kuvendi kur do, nesër”, theksoi Haradinaj.