LAJMI I FUNDIT:

Haradinaj kërkoi angazhimin e të gjithëve në gjetjen e zgjidhjes për çështjet e hapura në rajon

Haradinaj kërkoi angazhimin e të gjithëve në gjetjen e zgjidhjes për çështjet e hapura në rajon

Në kuadër të Takimit të Evropës Juglindore “Love Your Neighbor”, kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, mori pjesë në “Lutjet e Mëngjesit”, i cili po mbahet në Tiranë dhe është organizuar nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë.

Kryeministri Haradinaj gjatë fjalës së tij si panelist tha se ndihet i nderuar që sot flet për një temë kaq të rëndësishme, duke qenë bashkë në një panel si ky i sotmi.

“Jam krenar të jem këtu, por edhe ndjej trysni, sepse jam i ftuar si njëri nga ne, i një rajoni që ka një të kaluar tragjike dhe me këtë rast nuk po flasim për një të kaluar të largët, për një të kaluar të freskët para dy dekadash. Do t’i paraqes këtu disa nga bindjet dhe ndjenjat e mia, por para kësaj, më lejoni të falënderoj Fatmir Mehdiun, i cili nuk po dorëzohet në emër tonin. Ka bërë një punë të shkëlqyer duke na bashkuar sot këtu, jo vetëm që ta duam njëri-tjetrin dhe fqinjët, por edhe të na duan fqinjët tanë dhe bota”, tha Haradinaj në fillim të fjalës së tij.

Duke folur rreth marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë, kryeministri Haradinaj përmendi një përvojë personale.

“Njoh serb nga Kosova, i cili ka autoritet dhe është vendimmarrës. Kam pasur mundësinë ta vizitoj në shtëpinë e tij dhe një herë e kam vizituar i shoqëruar edhe nga fëmijët dhe gruan time, Aniten. Për respekt, edhe ai i solli fëmijët e tij, që të na bashkohen. Pasi fëmijët tanë takuan njëri-tjetrin dhe filluan të flasin e diskutojnë, ia bëra nikoqirit një pyetje. Thash, si mundet që për ty është normale që fëmijët tanë të luajnë së bashku dhe ta njohin njëri-tjetrin, kurse nuk është normale që pastaj këta fëmijë, fëmijët serbë të Kosovës, të shërbejnë në ushtrinë e Kosovës. Pse, ti dhe unë, nuk e kemi guximin t’i lejojmë fëmijët tanë të kenë të ardhme më të mirë sesa që kishim ne? Sepse, jo larg, vetëm dy dekada më parë, të gjithë ishim në anë të kundërta gjatë luftës. Kështu që e pyeta se a do të ishte i lumtur t’i  linim fëmijët ta kenë fatin e njëjtë sikur ne dhe të ndodhemi sërish në dy anë të kundërta apo dëshiron të bëjmë gjithçka që është e mundur, ta marrim një vendim të vështirë, që t’i lëmë fëmijët tanë të jetojnë në paqe” tha Haradinaj, duke shtuar se të gjithë në Kosovë janë duke punuar shumë, çdo ditë, për paqe të vërtetë.

“Paqja është në zemrat e njerëzve, është në besimin e njerëzve, është në thelb. Në vendin tonë, në Kosovë, jam i bindur se nuk jemi vetëm të përkushtuar për paqe, por jemi të vetëdijshëm se sa e rëndësishme është të jetosh në paqe dhe pajtim. Për këtë arsye, i trajtoj, jo vetëm me respekt, por edhe me integritet,  kolegët nga të gjitha komunitetet në shtetin tonë, kolegët serbë. Pra, për këtë arsye, mendoj se pyetjet e hapura nga e kaluara duhet të mbyllen, sepse këto përbëjnë rrezik për ne”, tha Haradinaj, përcjell Telegrafi.

Haradinaj përmendi faktin se të gjitha  pyetjet e hapura në rajonin tonë, duke mos u finalizuar, duke mos u arritur një marrëveshje finale mes Kosovës dhe Serbinë, janë kërcënim për rajonin tonë, janë rrezik për fëmijët tanë.

Haradinaj shtoi se në Evropë janë humbur dy dekada dhe se duhet angazhuar të gjithë për të gjetur zgjidhje për të gjitha çështjet e hapura, në mënyrë që t’i bashkohemi familjes sonë në Bashkimin Evropian, aty ku edhe përkasim.

“Zoti na ka bekuar, veçanërisht kombin tim, shtetin tonë më të ri, me lidhjen e posaçme me ShBA-në. Kjo dashuri nuk shërben për t’i bërë xheloz tjerët. Kurdo që e them këtë, e them për shkak se vijë nga një shtet ku jeta jonë ishte e rrezikuar, në vitin ’99. Ishim afër zhdukjes dhe të moskthimit më asnjëherë si vend. NATO e udhëhequr nga ShBA kanë bërë ndryshimin, që të gjithë ne të mund të riktheheshim dhe të ndërtojmë jetën tonë së bashku”, tha Haradinaj, duke e përmbyllur fjalën e tij me mesazhin që në rajon duhet ta duam njëri tjetrin, që të mos përsëriten tragjeditë nga e kaluara.

Takimi i Evropës Juglindore “Love Your Neighbor”, i organizuar nga Kuvendi i Shqipërisë ka për qëllim ndërtimin e urave të bashkëpunimit ndërmjet vendeve për të ardhmen e përbashkët. Përveç Kryeministrit të Haradinaj, pjesë e këtij takimi ishin edhe përfaqësues të lartë institucional nga Kosova, Shqipëria, vendet e rajonit, Evropa dhe bota. /Telegrafi/

Në trend Lajme

Më shumë
Pse Mali i Zi votoi kundër Kosovës në KiE, flet Dritan Abazoviq

Pse Mali i Zi votoi kundër Kosovës në KiE, flet Dritan Abazoviq

Lajme
Hamza: Jam më i mirë se Kurti në qeverisje, kam përvojë më shumë se Abdixhiku - Haradinaj s’do të jetë kryeministër

Hamza: Jam më i mirë se Kurti në qeverisje, kam përvojë më shumë se Abdixhiku - Haradinaj s’do të jetë kryeministër

Lajme
Aktivitete nga Serbia për sulm “hibrid” ndaj Kosovës,

Aktivitete nga Serbia për sulm “hibrid” ndaj Kosovës, "Octopus": Urgjentisht të koordinohen veprimet me ndërkombëtarët

Siguri
Nënkryetarja e PE-së e thotë hapur se BE-ja gaboi me masat ndaj Kosovës, tregon pse po amnistohet Serbia

Nënkryetarja e PE-së e thotë hapur se BE-ja gaboi me masat ndaj Kosovës, tregon pse po amnistohet Serbia

Lajme
Nga 3 prilli gjoba të larta për shkelësit e rregullave në trafik - këto janë ndryshimet me Ligjin e ri

Nga 3 prilli gjoba të larta për shkelësit e rregullave në trafik - këto janë ndryshimet me Ligjin e ri

Lajme
Propozimi i PDK-së për datën e zgjedhjeve, ristrukturimi në këtë parti dhe deklarata e Hamzës për Kurtin, Abdixhikun e Haradinajn

Propozimi i PDK-së për datën e zgjedhjeve, ristrukturimi në këtë parti dhe deklarata e Hamzës për Kurtin, Abdixhikun e Haradinajn

Lajme
Kalo në kategori