LAJMI I FUNDIT:

Haradinaj dhe Limaj shprehin ngushëllime për vdekjen e Sylë Zhitisë

Haradinaj dhe Limaj shprehin ngushëllime për vdekjen e Sylë Zhitisë

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj dhe ai i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj kanë ngushëlluar familjen Zhitia me rastin e vdekjes së Sylë Zhitisë, duke e cilësuar si një veprimtar të shquar të çështjes kombëtare.

Haradianj ka shkruar se me pikëllim ka marrë lajmin për kalimin në amshim të veprimtarit të shquar, Sylë Osmon Zhitia, vëllau i Heroit të Kombit Afrim Zhitia.

Ai ka shkruar në Facebook se familja Zhitia, e njohur për atdhedashuri, ka qëndruar çdoherë e paluhatur në parimet shqiptare dhe mbrojtjen e të drejtave të kombit tonë.


“Ngushëllime të thella familjes, miqve dhe bashkëveprimtarëve”, ka shkruar ai.

Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj ka shkruar se është i trishtë lajmi për vdekjen e parakohshme të Sylë Zhitisë, vëlla i heroit të kombit, Afrim Zhitia.

“Sylë Zhitia, nga një familje atdhetare, ishte veprimtar i shquar i çështjes kombëtare. I shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes Zhitia, miqve dhe gjithë atyre që e kanë njohur Sylën”, ka shkruar ai.

Ngushëllime familjes Zhitia i ka shprehur edhe Xhavit Haliti i PDK-së. Ai ka shkruar në Facebook se Syla, jo vetëm që ishte i vëllai i Heroit Afrim Zhitia, por ishte dhe bashkëveprimtar i tij dhe Halitit.

“Ishte një nga djemtë më të devotshëm të Kosovës. Kontribues i pa ndalshëm dhe i gatshëm për të qenë çdo kohë në shërbim të çlirimit, lirisë, pavarësisë dhe shtetit të Kosovës. Ngushëllimet e mia të zemrës prindërve, familjes dhe bashkëveprimtarëve. Prehu në paqe, miku im Sylë”, ka shkruar ai. /Telegrafi/